“Shqipëria u vendos në piedestalin e respektit të lartë”, Rama përfundon sot vizitën në Izrael

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

27 janar 2026

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet në Jerusalem, Izrael, në kuadër të një vizite zyrtare pune që ka nisur më 25 janar dhe përfundon sot, më 27 janar 2026, me pjesëmarrjen e tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.

Konferenca synon adresimin e sfidave globale në përballjen me antisemitizmin dhe mbledh liderë e përfaqësues nga vende të ndryshme të botës. Mëngjesin e së martës, Rama ka ndarë në rrjetet sociale një album fotografik nga kjo vizitë, ku thekson se Shqipëria është vendosur “në piedestalin e respektit më të lartë”.

Gjatë qëndrimit në Jerusalem, kryeministri vizitoi fillimisht Nova Site, ku u shfaq i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama. Më pas, ai mbajti një fjalim në Knesset, ku e cilësoi Shqipërinë si një model bashkëjetese fetare dhe një shembull orientues për botën. Rama njoftoi gjithashtu hapjen e një muzeu në qytetin e Vlorës, i cili do t’i kushtohet shpëtimit të hebrenjve nga populli shqiptar gjatë periudhës së Holokaustit.

Në fjalën e tij, Rama përmendi edhe tunelët ku, sipas autoriteteve izraelite, u mbajtën pengje pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, duke theksuar se ato duhet të ruhen si dëshmi historike. Ai e përmbylli fjalimin me një mesazh për paqe, duke uruar prosperitet për Izraelin dhe dinjitet për popullin palestinez, deklaratë që u shoqërua me duartrokitje në parlamentin izraelit.

Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vlerësoi personalisht Ramën, duke u shprehur se ai qëndron mbi të tjerët jo vetëm fizikisht, por edhe moralisht. Netanyahu tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit janë në nivelin më të mirë ndonjëherë, duke përmendur edhe simbolikën e shqiponjës në flamurin shqiptar.

Ai e cilësoi Shqipërinë si “ishull paqeje në një oqean të së keqes” dhe premtoi mbështetje për vendin tonë në fusha të ndryshme, përfshirë sigurinë, luftën kundër terrorizmit, teknologjinë, reformat tregtare dhe turizmin. Netanyahu theksoi gjithashtu rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve izraelitë në Shqipëri, duke deklaruar se vizitat janë shtuar me afro 1,000 për qind, falë zhvillimeve pozitive në vend.

Scroll to Top