Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
26 janar 2026
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet në Izrael ku zhvillon vizita dhe takime të rëndësishme me udhëheqësit e vendit. Në një postim në rrjetet sociale, Rama e përshkruan vendin si “një vend që kumbon pa fjalë”, duke shtuar se “mes humbjeve rrëqethëse, një pyll festash i kthyer pas një kasaphane të patregueshme, është shndërruar në një tempull reflektimi për jetën, urrejtjen dhe çmimin e paqes”.
Programi i vizitës përfshin një takim ‘kokë më kokë’ me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga takime me dy delegacionet dhe një deklaratë për shtyp. Në orën 14:00, Rama, i shoqëruar nga znj. Linda Rama, do të mbërrijë në Knesset, ku do të pritet me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Knessetit.
Në orën 16:15 parashikohet seanca plenare speciale e Knessetit, ku do të mbajnë fjalën Kryetari i Knessetit Amir Ohana, Kryeministri Benjamin Netanyahu, Lideri i Opozitës Yair Lapid, si dhe Kryeministri Rama, i cili do t’i drejtohet Parlamentit me një fjalim historik, sipas protokollit të rezervuar për një numër të kufizuar udhëheqësish të huaj, përfshirë edhe Presidentin e SHBA, Donald Trump.
Në përfundim të seancës, në orën 17:15, do të zhvillohet një pritje zyrtare në nder të Kryeministrit Rama në Jerusalem Hall, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të veçantë. Ndërkohë, znj. Linda Rama do të zhvillojë një takim të veçantë me gratë parlamentare të Izraelit.



















