Komunat e Kosovës po përballen me sfida të jashtëzakonshme sa i përket furnizimit me barna esenciale.
Situata është bërë alarmante, pasi që shumë qytetarë që po detyrohen të blejnë barnat dhe materialet shpenzuese vetë, një problem ky që ka shqetësuar autoritetet lokale.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka folur rreth kësaj situate të krijuar, me ç’rast ka theksuar nevojën për veprim të menjëhershëm nga Ministria e Shëndetësisë.
“Mungesa e barnave esenciale po shkakton probleme serioze nëpër komuna, dhe ne kërkojmë nga Ministria e Shëndetësisë që ta trajtojë këtë situatë me seriozitet të shtuar”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi theksoi se pavarësisht premtimeve të bëra nga Ministria, situata mbetet e pavolitshme dhe ka nevojë për një qasje më të fokusuar.
“Ministria ka premtuar shumë në këtë aspekt mirëpo, situata në komunat e Republikës së Kosovës është shumë e pavolitshme. Qytetarët e Republikës së Kosovës po detyrohen që vetë t’i blejnë barnat dhe materialin shpenzues” theksoi ai.
Në tabelën më poshtë vërehet mungesa e barnave esenciale dhe materialit shpenzues në disa komuna të Kosovës.
Përqindjet tregojnë se asnjëra prej komunave nuk ka furnizim të plotë, duke reflektuar mungesa të konsiderueshme.
Për shembull, Lipjani ka vetëm 21.23% furnizim me barna esenciale dhe 44.06% me material shpenzues, ndërsa Gjakova ka përqindjen më të lartë të furnizimit me barna esenciale (48.75%) dhe Hani i Elezit me material shpenzues (80.64%).
Këto të dhëna nxjerrin në pah sfidat e furnizimit në disa komuna, veçanërisht për barnat esenciale që janë të nevojshme për kujdesin bazë shëndetësor. /Telegrafi/