Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
04 shkurt 2026
Një shtetas indian është shpallur fajtor nga një gjykatë federale në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara për sulm seksual ndaj një pasagjereje gjatë një fluturimi të brendshëm ajror.
I dënuari, 38-vjeçari Varun Arora, u shpall fajtor për kontakt seksual abuziv dhe sulm në bordin e avionit, ndërsa përballet me një dënim që mund të arrijë deri në dy vjet burg.
Ngjarja ka ndodhur më 29 gusht 2024, gjatë një fluturimi nga Rhode Island drejt Uashingtonit, sipas një deklarate të Zyrës së Prokurorit të SHBA-së. Sipas të dhënave gjyqësore, viktima, e ulur pranë Aroras, u zgjua gjatë uljes përfundimtare të avionit dhe konstatoi se ai po e ngacmonte seksualisht.
Prokuroria bën të ditur se Arora mbante një maskë gjumi dhe u shtir sikur ishte në gjumë, ndërsa vazhdoi të vendoste dorën mbi trupin e viktimës, pavarësisht se ajo e largonte vazhdimisht.
Rasti u hetua nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në Uashington, ndërsa ndjekja penale u drejtua nga ndihmësprokurorët amerikanë Madison Mumma dhe Russell L. Carlberg.
Autoritetet amerikane konfirmuan gjithashtu se Arora ndodhej në SHBA pa status të ligjshëm qëndrimi. Vendimi përfundimtar mbi dënimin do të merret më 7 maj, kur gjykata do të shqyrtojë udhëzimet federale të dënimit dhe faktorë të tjerë ligjorë.
Ndërkohë, ky rast vjen pas një incidenti të ngjashëm në Mbretërinë e Bashkuar, ku në nëntor të vitit 2025, një tjetër shtetas indian, Javed Inamdar, u dënua me 21 muaj burg për sulm seksual ndaj një vajze 12-vjeçare gjatë një fluturimi të British Airways nga Mumbai drejt Londrës.

















