Rama: Më 1 janar 2026 rritet paga minimale në 500 euro dhe nis skema e re e pensioneve

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

01 dhjetor 2025

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se paga minimale në Shqipëri do të rritet në 500 euro duke filluar nga 1 janari 2026, njësoj si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Deklarata u bë gjatë episodit më të fundit të podkastit “Flasim”.

Rama theksoi gjithashtu se nga fillimi i vitit të ardhshëm do të nisë edhe skema e re e rritjes së pensioneve. Sipas tij, pensionet do të rriten gradualisht çdo vit deri në pesëfishim.

“Nga janari i vitit 2026 nis historia e re e rritjes së pensioneve. Ato do të dyfishohen në janar 2027, trefishohen në janar 2028, katërfishohen në janar 2029 dhe pesëfishohen në janar 2030”, deklaroi kreu i qeverisë.

Në podkast, Rama u ndal edhe te shpërblimi i fundvitit për pensionistët, duke mohuar zërat se bonusi nuk do të jepej këtë vit. “Kemi miratuar shpërblimin e fundvitit dhe ai ka nisur të dërgohet drejt pensionistëve. Të gjithë ata që marrin deri në 20 mijë lekë të reja pension do të përfitojnë 150 euro, ndërsa pensionistët me pension mbi këtë shumë do të marrin 100 euro”, sqaroi ai.

Kryeministri e quajti “të pavërtetë” çdo pretendim se shpërblimi i këtij viti do të ndahej në këste gjatë vitit të ardhshëm, duke theksuar se bonusi i fundvitit po jepet normalisht.

Scroll to Top