Osmani në Davos: Kosova anëtare themeluese e Bordit të Paqes krah SHBA-së

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

23 janar 2026

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se në takimin e mbajtur në Davos, në emër të Kosovës, ka nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes, duke e bërë Kosovën anëtare themeluese, të barabartë dhe me të drejta të plota në këtë organizatë, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Presidentes Osmani, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes që udhëhiqen nga aleati strategjik i Kosovës, SHBA-ja, kontribuon në forcimin e sovranitetit të vendit, rritjen e pozitës ndërkombëtare dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës.

Ajo ka njoftuar se marrëveshja e nënshkruar do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me qëllim marrjen e miratimit përfundimtar nga përfaqësuesit e qytetarëve.

Presidentja Osmani ka falënderuar Presidentin amerikan Donald Trump për lidershipin e tij dhe për ftesën që t’i mundësoi Kosovës të përfaqësohet në këtë moment historik.

Në përfundim, Osmani ka theksuar se Kosova do të mbetet e përkushtuar në shërbim të paqes, sot dhe në të ardhmen.

Scroll to Top