Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
23 janar 2026
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar sot në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë një kërkesë-padi kundër institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë për periudhën 2007–2012, si dhe kundër prokurorit të posaçëm Ols Dado.
Në padinë e paraqitur, Veliaj kërkon konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të vitit 2008, me të cilin Dado është emëruar prokuror, duke pretenduar se emërimi është kryer në kundërshtim me ligjin. Sipas padisë, në momentin e dekretimit, Dado nuk ka plotësuar kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit, pasi nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës.
Veliaj kërkon gjithashtu që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të marrë vendim për përfundimin e statusit të magjistratit dhe për ndalimin e ushtrimit të detyrës nga prokurori në fjalë, duke e cilësuar ushtrimin e funksionit si të paligjshëm.
Në padi thuhet se të gjitha veprimet penale të ndërmarra ndaj Erion Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimin e ushtrimit të mandatit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, mbështeten mbi një akt emërimi të pavlefshëm që nga fillimi (“nul ab initio”), duke shkaktuar, sipas tij, pasoja të rënda për Bashkinë e Tiranës, rendin kushtetues, institucionet shtetërore, si dhe për jetën familjare dhe personale.
















