Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
01 shtator 2025
Një zbulim i ri shkencor mund të ndryshojë udhëzimet mjekësore në mbarë botën. Mjekët kanë zbuluar se ilaçi clopidogrel është më i efektshëm se aspirina në parandalimin e infarkteve të zemrës dhe goditjeve në tru, pa rritur rrezikun për gjakderdhje serioze.
Prej dekadash, miliona njerëz janë këshilluar të marrin aspirinë në dozë të ulët çdo ditë për të parandaluar ngjarjet serioze kardiovaskulare. Aspirina ndihmon në hollimin e gjakut dhe duke ulur rrezikun për bllokime të arterieve.
Por një studim i ri ndërkombëtar, i paraqitur në kongresin e Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë në Madrid dhe i botuar njëkohësisht në revistën The Lancet, tregon se clopidogrel, një hollues gjaku i përdorur gjerësisht është më efektiv se aspirina në parandalimin e këtyre ngjarjeve, pa rritur rreziqet për efekte anësore të rënda.
Studimi përfshiu një analizë gjithëpërfshirëse të të dhënave nga afro 29 mijë pacientë me sëmundje të arterieve koronare (CAD), forma më e zakonshme e sëmundjes së zemrës dhe një nga shkaqet kryesore të vdekjes në nivel global.
Rezultatet treguan se pacientët që merrnin clopidogrel kishin 14% më pak rrezik për të pësuar infarkt, goditje në tru ose vdekje nga shkaqe kardiovaskulare, krahasuar me ata që merrnin aspirin. Po aq e rëndësishme ishte dhe gjetja se nuk kishte rritje të rasteve të gjakderdhjes së rëndë tek pacientët që përdornin clopidogrel.
Për shumë vite, aspirina ka qenë trajtimi standard për pacientët me CAD, shpesh për gjithë jetën. Megjithatë, ky studim sfidon këto udhëzime tradicionale, duke sugjeruar që clopidogrel duhet të jetë zgjedhja e preferuar për trajtim afatgjatë me ilaçe antitrombocitare.
Sipas autorëve të studimit një ekip mjekësh nga SHBA, Britania e Madhe, Australia, Zvicra dhe Japonia, përfitimet e clopidogrel ishin të dukshme edhe tek pacientët që zakonisht nuk reagojnë mirë ndaj këtij ilaçi për shkak të faktorëve gjenetikë ose klinikë.