Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
29 janar 2026
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, duke konfirmuar vendimet e mëparshme të gjykatave të gjitha shkallëve.
Beqaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që nga 4 korriku 2024, pas urdhrit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Në kërkesën e tij drejtuar Kushtetueses, Beqaj pretendonte se vendimet e gjykatës së parë, të Apelit dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë ishin në kundërshtim me Kushtetutën dhe kërkonte që çështja të kthehej për rigjykim. Megjithatë, trupa gjykuese nuk gjeti shkelje që të justifikonin ndryshimin e masës së arrestit.
Sipas SPAK, gjatë periudhës kur ishte në krye të SASPAC (emëruar në vitin 2021), Beqaj dhe disa vartës të tij dyshohet se ndërtuan një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash, duke përdorur faturat fiktive dhe duke abuzuar me fondet e ndihmës nga Bashkimi Evropian.
Përveç hetimit për abuzim me fondet e SASPAC, ish-ministri përballet edhe me një tjetër akuzë për shpërdorim detyre, që lidhet me kontratën koncesionare për pajisjet kirurgjikale.

















