Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Berishës për zgjatjen e arrestit shtëpiak

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

16 janar 2026

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha, duke vlerësuar se kohëzgjatja e masës së arrestit shtëpiak ka qenë e pajustifikuar dhe e tejzgjatur, në kundërshtim me Kushtetutën.

Sipas burimeve të sigurta, vendimi është marrë në përfundim të seancës plenare, pa praninë e palëve. Çështja lidhej me kundërshtimet e mbrojtjes ndaj qëndrimit të SPAK, i cili kishte insistuar në vijimin e arrestit shtëpiak, masë që më pas u zëvendësua me detyrim paraqitjeje në janar 2025.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese thekson se gjykatat më të ulëta nuk kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm për vijimin e masës së arrestit shtëpiak, duke u mbështetur në të njëjtat rrethana fillestare, pa evidentuar rreziqe apo fakte të reja që do ta justifikonin kufizimin e zgjatur të lirisë personale.

Gjykata vlerësoi se masa më e lehtë, detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, ishte e mjaftueshme për nevojat e sigurimit, ndërsa zgjatja e arrestit shtëpiak nuk respektonte parimin e proporcionalitetit.

Megjithatë, për shkak se masa e arrestit shtëpiak nuk është më në fuqi, Kushtetuesja nuk i shfuqizoi vendimet e gjykatave të zakonshme, por i deklaroi ato antikushtetuese vetëm për pjesën që lidhet me Sali Berishën.

Në përfundim, Gjykata vendosi që shpenzimet e përfaqësimit ligjor, në vlerën 75 mijë lekë, t’i ngarkohen Ministrisë së Financave.

Scroll to Top