Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
22 janar 2026
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se është formuar një “kornizë e një marrëveshjeje të ardhshme” lidhur me Groenlandën, duke hapur një kapitull të ri debatesh ndërkombëtare për statusin dhe sigurinë e ishullit strategjik në Arktik. Njoftimi vjen pas një periudhe tensionesh të forta mes Uashingtonit dhe disa aleatëve të tij, të cilët kanë kundërshtuar idetë e Trumpit për kontroll mbi territorin gjysmë-autonom të Danimarkës.
Deklarata u bë publike të mërkurën përmes platformës Truth Social, pas takimeve të zhvilluara në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Trump tha se korniza e marrëveshjes është rezultat i një takimi “shumë produktiv” me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke shtuar se një zgjidhje e tillë do të ishte “e shkëlqyer për SHBA-në dhe për vendet anëtare të NATO-s”.
Megjithatë, presidenti amerikan nuk dha detaje konkrete për përmbajtjen e marrëveshjes dhe theksoi se bisedimet do të vazhdojnë. Nga ana tjetër, Mark Rutte sqaroi se gjatë takimit me Trump nuk është diskutuar çështja thelbësore e sovranitetit të Danimarkës mbi Groenlandën.
Reagimet nga Kopenhaga dhe Nuuk kanë qenë të qarta: sovraniteti nuk është i negociueshëm. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, deklaroi se Danimarka është e hapur për diskutime mbi sigurinë, investimet dhe bashkëpunimin ekonomik, por jo për çështje që cenojnë integritetin territorial. “Ne nuk mund të negociojmë për sovranitetin tonë dhe jam informuar se kjo nuk ka qenë pjesë e diskutimeve”, tha ajo.
Edhe zyrtarë të Groenlandës kanë reaguar ashpër. Aaja Chenmitz, një nga dy përfaqësuesit e Groenlandës në parlamentin danez, theksoi se as NATO-ja dhe as palët e tjera nuk mund të negociojnë pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të Groenlandës. “Asgjë për ne, pa ne”, deklaroi ajo.
NATO, përmes zëdhënëses Allison Hart, njoftoi se bisedimet mes Danimarkës, Groenlandës dhe SHBA-së do të vazhdojnë me fokus në sigurinë rajonale, me synimin për të parandaluar çdo ndikim ekonomik apo ushtarak të Rusisë dhe Kinës në Groenlandë.
Ndërkohë, raportime jozyrtare kanë sugjeruar se një nga idetë e diskutuara mund të jetë krijimi i zonave të veçanta ushtarake nën kontrollin e SHBA-së, të ngjashme me bazat britanike në Qipro. Këto spekulime janë hedhur poshtë në mënyrë indirekte nga autoritetet daneze dhe groenlandeze, të cilat kanë përsëritur se çdo marrëveshje duhet të respektojë sovranitetin e ishullit.
Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, u shpreh se pret zhvillimin e diskutimeve të drejtpërdrejta mes Danimarkës, Groenlandës dhe SHBA-së, duke theksuar se ruajtja e sovranitetit të Groenlandës është thelbësore. Ajo shtoi se diskutimet do të përqendrohen në çështje praktike të sigurisë, përfshirë rritjen e mbikëqyrjes në Arktik.
Trump, i cili më herët kishte përmendur edhe mundësinë e përdorimit të forcës për të marrë kontrollin e Groenlandës, ka zbutur tonet në Davos, duke u distancuar nga kërcënimet ushtarake. Megjithatë, ai ka insistuar se një marrëveshje qiraje nuk do të ishte e mjaftueshme, duke theksuar rëndësinë strategjike të “pronësisë” mbi territorin.
SHBA-të kanë një prani ushtarake në Groenlandë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe, sipas marrëveshjes së vitit 1951 me Danimarkën, kanë të drejtë të dislokojnë trupa në ishull. Aktualisht, mbi 100 ushtarakë amerikanë janë të stacionuar në bazën Pituffik, në veriperëndim të Groenlandës.
Pavarësisht kësaj, Danimarka ka paralajmëruar se çdo cenim i sovranitetit të saj do të kishte pasoja serioze për marrëdhëniet transatlantike dhe për vetë NATO-n, aleancë që bazohet në parimin e mbrojtjes kolektive.

















