Alarm për virusin Nipah/OBSH:  Rreziku i përhapjes së virusit përtej Indisë është i ulët

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

30 janar 2026

Dy raste me virusin vdekjeprurës Nipah në Indi kanë shtyrë autoritetet në Tajlandë dhe Malajzi të forcojnë kontrollet në aeroporte për të parandaluar përhapjen e infeksionit.

Nipah është një infeksion i rrallë viral që përhapet kryesisht nga kafshët e infektuara, sidomos lakuriqët e natës që ushqehen me fruta, tek njerëzit.

Ndryshe, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vlerësuar se rreziku që virusi vdekjeprurës Nipah të përhapet jashtë kufijve të Indisë mbetet i ulët, duke theksuar se për momentin nuk ka nevojë për masa kufizuese në udhëtime apo tregti. Ky vlerësim vjen pas konfirmimit të dy rasteve të infektimit në Indi.

Megjithatë, disa vende të Azisë, përfshirë Hong Kongun, Malajzinë, Singaporin, Tajlandën dhe Vietnamin, kanë ashpërsuar kontrollet shëndetësore në aeroporte, si masë parandaluese ndaj një përhapjeje të mundshme.

Sipas OBSH-së, nuk ka ende prova që tregojnë rritje të transmetimit nga njeriu te njeriu, ndërsa autoritetet indiane vlerësohen se kanë kapacitetet e nevojshme për të menaxhuar dhe frenuar shpërthime të tilla. Megjithatë, organizata paralajmëron se ekspozimi ndaj virusit mbetet i mundshëm, pasi ai vazhdon të qarkullojë te popullatat e lakuriqëve të natës në disa rajone të Indisë dhe Bangladeshit.

Virusi Nipah transmetohet kryesisht nga kafshët e infektuara, veçanërisht lakuriqët e natës dhe derrat, dhe mund të shkaktojë simptoma të rënda, përfshirë ethe dhe inflamacion të trurit. Me një shkallë vdekshmërie që arrin deri në 75 për qind dhe pa një trajtim specifik, autoritetet shëndetësore theksojnë rëndësinë e vigjilencës, ndërsa vaksinat e mundshme janë ende në faza testimi.

Scroll to Top