Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
27 prill 2025
Deputetët do të mblidhen sot në 10:00 për herë të shtatë për konstituimin e Kuvendit, ndërsa ngërçi institucional po vazhdon që prej 15 prillit, kur nisi seanca konstituive.
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të premten dështoi sërish t’i merrte 61 votat e nevojshme. Vetëm 57 deputetë votuan për zgjedhjen e saj në këtë pozitë.
LVV-ja po insiston në emrin e Haxhiut, deputetes e cila për Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës konsiderohet si figurë përçarëse.
Një takim “konsultativ” i thirrur nga LVV-ja, u mbajt të mërkurën, pasi paraprakisht, të hënën, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca kërkoi “kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë” dhe përmendi nevojën për një “marrëveshje politike” për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Takimi rezultoi i pasuksesshëm, siç dëshmoi vazhdimi të premtën.
Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti i LVV-së Avni Dehari i tha Radios Evropa e Lirë të premten se nuk e kanë ndëruarr kandidaturën dhe konfirmoi se s’ka ndonjë përpjekje tjetër për të diskutuar me partitë e tjera për gjetjen e një zgjidhjeje.
“Jo, e kemi kryer takimin konsultativ, tash do të vazhdojmë me mbledhjen, siç është në plan”, është shprehur Dehari.