Pozita e presidentit “përçanë” partitë politike

Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta

14 janar 2026

Ndërsa vendi është në prag të zgjedhjes së presdientit të ri që kërkon bashkëpunim ndërpartiak për sigurimin e 80 votave të nevojshme, partia fituese e zgjedhjeve LVV-ja ka thënë se opsionet e kandidatëve për president janë të hapura. Por ky subjekt nuk ka një qëndrim të definuar as për ambiciet e Vjosa Omsanit e cila po kërkon mbështetje edhe për një mandat. Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Artan Abrashi, e ka quajtur absude një kërkesë të kryetari të LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili ka kërkuar që kandidati për president të jet jopolitik.

“Kërkesa në vetvete është një absurd. Pozita e presidentit është mjaft politike dhe ne nuk mund të gjejmë një person i cili nuk është politik. Sa i përket çështjes së neutralitetit kemi këndvështrime të ndryshme dhe kësaj… 11:57 Është legjitime që ata që pretendojnë pozitën e presidentit të fillojnë një fushatë për të marrë një mbështetje nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, pasi të njëjtit e votojnë dhe zgjedhin presidentin e Kosovës. Nuk ka diçka të keqe këtu edhe nëse zonja Osmani angazhohet në këtë drejtim.”, tha Abrashi.

Por, në LDK paralajmërojnë se propozimi i Abdixhikut për president jopolitik mund të përkrahet nga kryesia e këtij subjekti politik. Ndonëse nënkryetari i këtij i LDK-së, Gazmend Muhaxheri tha se ende nuk ka një qëndrim zyrtar.

“Pas mbledhjeve që do t’i mbajë LDK-ja dhe koordinimeve që do t’i kemi, do të vendoset se çfarë qëndrimi do të mbajmë për çështjen e presidentit. Zyrtarisht nuk ka asgjë. Me siguri kryesia e LDK-së e përkrah qëndrimin e Abdixhikut. Nuk varet nga ne kjo. Kryetari i partisë fituese i ka votat për ta formuar Kuvendin dhe institucionet e tjera.”, tha Muhaxheri.

LDK-ja gjatë ditës ka mbajtur mbledhje të udhëheqësisë në të cilën kanë biseduar ndër të tjera edhe për postin e presidentit, por pa treguar për hapat e radhës. Ditët e fundit ka pas njoftime për mundësinë e një bashkëpunimi midis LVV-së dhe LDK-së për formimin e institucioneve përfshirë edhe postin e presidentit të ri. Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka qenë i rezervuar të flas për zhvillimet brenda LDK-së, por ka thënë se e mirëpret secilin bashkëpunim që do të kontribuonte për të mirën e vendit.

“çfarëdo koalicioni që hap proceset me transformu vendin tonë për të mirë janë të mirëseardhura. Sa kam qenë në komunë nuk kam pasë eksperiencë të mirë (me LVV))sepse në dy vitet e para jam munduar me bashkëpunu por kanë qenë sabotues e bllokues, por uroj që të jenë bashkëpunues tash sepse nuk ec shoqëria përpara me sabotime.”, tha Rama.

Derisa janë shpërfaqur paqartësi rreth zgjedhjes së presidentit të ri, politologu Albinot Maloku vlerëson të gjithë presidentët e vendit janë zgjedhur përmes bashkëpunimeve politike. Vlerëson se, LVV-ja si parti fituese e zgjedhjeve duhet me urtësi të ofrojë bashkëpunim përmes një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ri.

‘’Edhe me këtë fuqi që ka LVV-ja do të duhej që përmes një urtësie të kërkonte një marrëveshje politike.’’, tha Maloku.

Nëse nuk do të ketë marrëveshje politike, Maloku, nuk sheh rrugë tjetër përvec zgjedhjeve të reja.

‘’Nëse nuk ka mundësi të zgjedhet shefi i shtetit në raundin e tretë shkojmë në zgjedhje.’’, shtoi Maloku.

Ndërkohë që vendi vlon se kush do të jetë kandidati për president të ri, presidentja Vjosa Osmani e cila ka shfaqur hapur ambiciet e saj edhe për një mandat, ka vazhduar publikimin e videove përmbledhëse të takimeve të saj që ka pasur gjatë mandatit, veprime këto që sipas analistëve janë parë si parafushtatë të Osmanit.

Scroll to Top