Policia me aksion në veri – mbyllen dy qendra ilegale, ngriten dyshime se përmes tyre qytetarët u kushtëzuan të votonin një parti politike

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

21 shkurt 2025

Është bërë bastisja e Qendrave për Punë Sociale nga Policia e Kosovës të cilat dyshohet se kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë në katër komunat veriore të Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani.

Elshani, theksoi se ky aksion është pjesë e hetimeve që lidhen me arrestimin e katër zyrtarëve të këtyre qendrave, të cilët janë arrestuar më 8 shkurt 2025, një ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Sipas tij, ata dyshohet se kanë thirrur qytetarë të ndryshëm dhe nën kërcënimin e tërheqjes së ndihmave sociale, i kanë udhëzuar se si të votojnë në favor të një partie të caktuar politike.

“Më 08 shkurt 2025 një dite para zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë, kishim arrestuar 4 persona (zyrtar të Qendrës për Pune Sociale në Zubin Potok) në lidhje me veprën ‘Cenim i përcaktuesve të votuesve’.

Në fakt këta zyrtar të qendrës për punë sociale e cila ishte në strukturë paralele/ilegale dyshohej se kanë thirr qytetarë të ndryshëm në telefon dhe nën formën e kërcënimit i kanë detyruar apo udhëzuar se si të votojnë duke i kushtëzu ndihmat sociale me votën e tyre në favor të një partie të caktuar politike e cila ishte në garë për zgjedhjet parlamentare në Kosovë”, ka thënë Elshani.

E sipas tij, lidhur me punën e tyre hetimore e kanë njoftuar Prokurorinë Themelore në Mitrovicë nga të cilët kanë kërkuar që të ju lejohet kontrolli i këtyre qendrave me qëllim të zbulimit të provave me të cilat do të vërtetohet saktë mënyra e veprimit të këtij aktiviteti të kundërligjshëm e që cilësohet si falsifikim i dokumenteve.

Scroll to Top