Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
23 shtator 2025
Shtatori solli fillimin e vitit të ri shkollor në Kosovë, por për shumë nxënës, klasat nuk janë më vende ku mund të mësosh paqësisht.
Çdo ditë ka fëmijë që shkojnë në shkollë me frikë, duke e ditur se një fjalë e gabuar ose një veprim i vogël mund të kthehet në dhunë fizike apo bullizim.
Një djalë rreth 10 vjeç e përjetoi këtë vitin e kaluar shkollor.
Nëna e tij nuk dëshiron të identifikohet, e frikësuar se nëse dikush mëson se kush është djali, situata mund të përkeqësohet dhe dhuna të vazhdojë.
“Problemi filloi për shkak të bankës. Djali ishte ulur në bankën e dytë dhe dy djem të tjerë të klasës i kërkuan ta lëshonte vendin, por ai nuk pranoi. Djali ishte vetëm kundër dy të tjerëve. Filluan me fjalë, pastaj u shtynë dhe përfunduan me dhunë fizike”, rrëfen kjo nënë për Radion Evropa e Lirë.
“Edhe sot, ata e bullizojnë kohë pas kohe”, thotë ajo.
Tronditja dhe brenga e saj janë të dukshme.
Ajo nuk pranon të zbulojë mënyrën se si ka reaguar udhëheqja e shkollës, nga frika se fëmija mund të jetë përsëri në rrezik.
E, ky rast nuk është i izoluar.
Dhuna mes bashkëmoshatarëve në shkollat në Kosovë dhe përreth tyre është bërë një realitet i përditshëm, ku nxënësit përballen me bullizim, intimidim dhe sulme fizike, ndërsa institucionet shpesh mbeten të pafuqishme për ta ndaluar.
Muajin e kaluar, opinioni u trondit nga rrahja e një 13-vjeçareje në Gjilan nga disa bashkëmoshatare të saj.
Në vitin 2022, Radio Evropa e Lirë raportoi edhe për rastin e vdekjes së një 14-vjeçari, pasi u ther me thikë në një shkollë në Prishtinë.
REL-i pyeti Policinë e Kosovës për incidentet në shkolla këtë dhe vitin e kaluar, por ende nuk mori përgjigje, ndërsa nga të dhënat e mëparshme, fenomeni po rritet.
Dhuna në shkolla në shifra
Në vitin 2023, një studim i publikuar nga një grup ekspertësh – kosovarë dhe të huaj – nxori në pah se nxënësit e shkollave fillore në Kosovë përjetojnë forma të ndryshme dhune – nga shtyrja apo rrahja deri te prekja pa dëshirë.
Çfarë dhune thonë nxënësit se përjetojnë në shkolla?
Nxënësit nga klasa e gjashtë në të nëntën në shkolla në Kosovë thonë se përjetojnë lloje të ndryshme të dhunës në ambientet shkollore.

















