Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
27 janar 2026
Procesi i rinumërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po shkon drejt përfundimit.
Sipas përditësimit më të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orët e mëngjesit të së martës janë rinumëruar gjithsej 1,887 vendvotime, që përbëjnë 73.8 për qind të totalit prej 2,557 vendvotimeve të planifikuara për rinumërim.
Ky proces, i cili ka nisur më 13 janar 2026, ka përfunduar tashmë në 25 komuna. Nga KQZ është bërë e ditur se rinumërimi po vazhdon me kapacitet të plotë, me synimin që të përmbyllet sa më shpejt në vendvotimet e mbetura. Shpallja e rezultateve përfundimtare pritet në fillim të muajit shkurt, ndërsa pas shqyrtimit të ankesave eventuale do të procedohet me certifikimin e rezultateve.
Vendimi për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve u mor nga KQZ pas analizimit të një raporti paraprak nga rinumërimi i mbi 500 vendvotimeve, i cili tregoi se ndryshimet në votat e subjekteve politike ishin minimale. Ndërkohë, për votat e kandidatëve u konstatuan pasaktësi të konsiderueshme gjatë numërimit fillestar.
Sipas të dhënave të rinumërimit, vetëm në komunën e Prizrenit janë identifikuar 45,709 vota që u janë shtuar ose hequr kandidatëve gjatë procesit fillestar të numërimit. Devijimet më të mëdha janë evidentuar tek Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ku kandidati për deputet Fetah Paçarizi rezultoi me mbi 6 mijë vota më pak pas rinumërimit.
Në lidhje me këto gjetje, Prokuroria Themelore në Prizren ka zhvilluar një aksion të premten, i cili ka rezultuar me arrestimin e 109 personave, nën dyshimin për manipulim të votave.

















