Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
19 janar 2026
Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) po vazhdon mbledhjen dhe ruajtjen e dëshmive autentike që dokumentojnë krimet e luftës, duke pasuruar vazhdimisht fondin arkivor me materiale të vlefshme për historinë dhe drejtësinë.
Së fundmi, fotoreporteri i njohur Ridvan Slivova dorëzoi materialet e tij dokumentuese, të cilat përbëjnë dëshmi të rëndësishme për ruajtjen e së vërtetës historike. Ndërkohë, ish-drejtori ekzekutiv i Fondit “Vendlindja Thërret” në SHBA, Shefki Mexhuani, nënshkroi procesverbalin për dorëzim-pranim të materialeve arkivore që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës.
Po ashtu, Gani Vila, drejtor i Albanian TV of America, dorëzoi materiale mediatike, ndërsa gazetare Ilire Zajmi vizitoi arkivin dhe shprehu gatishmërinë për të kontribuar me dokumente të saj.
Selatin Novosella, nga Shoqata e të Burgosurve Politikë në Prishtinë, dhuroi pesë libra dhe nënshkroi procesverbal bashkëpunimi, duke siguruar dorëzimin e mëtejshëm të dokumenteve që dëshmojnë torturat dhe persekutimin e shqiptarëve nga regjimi serb që nga viti 1945.
Po ashtu, publicisti Fadil Curri dhe Sadullah Krasniqi nga Obiliqi vizituan Institutin dhe dorëzuan botime që pasqyrojnë represionin e regjimit serb ndaj popullatës civile.
IKKL shpreh mirënjohje për të gjithë kontribuuesit dhe fton qytetarët që posedojnë dokumente, fotografi apo dëshmi nga periudha e luftës t’i dorëzojnë në Institut, duke ndihmuar kështu ruajtjen e kujtesës historike dhe pasurimin e arkivit kombëtar.

















