Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
24 shtator 2025
Bashkimi Evropian përsërit thirrjen për mbajtjen përgjegjës të autorëve të sulmit terrorist në Banjskë, i cili, sipas zyrtarëve të Brukselit, ka kërcënuar seriozisht sigurinë në rajon.
Çështja e përgjegjësisë për Banjskën, dy vjet më pas, ka qenë pjesë e bisedimeve që shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, ka zhvilluar në Nju-Jork me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Këtë e kanë konfirmuar zyrtarë evropianë, duke nënvizuar se Kallasi do të vazhdojë ta ngrejë këtë çështje edhe në margjinat e takimeve të saj me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.
Nga zyra e shtypit të BE-së është bërë e ditur se pritet që autoritetet në Serbi të arrestojnë dhe ndjekin penalisht, para gjykatave serbe, autorët e sulmit që ndodhen në Serbi.
“Ne gjithashtu mbetemi të shqetësuar nga raportet për pjesëmarrjen e autorëve të dyshuar të sulmit në Banjskë gjatë demonstratave në Serbi”, thuhet në një përgjigje me shkrim për RTK-në nga selia e BE-së.
Po ashtu, nga Zyra për shtyp e BE-së nënvizohet se, në tetor 2023, përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë i ka përcjellë autoriteteve serbe një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë ligjore nga autoritetet e Kosovës lidhur me këtë çështje, ndërsa konfirmohet se ende nuk ka asnjë përgjigje nga Beogradi zyrtar

















