Arrihet koalicioni i parë për balotazh në Prizren

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

17 tetor 2025

Sot është arritur një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet z. Artan A. Abrashi, përfaqësues i subjektit politik “Së Bashku për Kosovën” (SZK), dhe znj. Emilija Redžepi, kryetare e Partisë NDS, e cila përfaqëson komunitetin boshnjak në Prizren.

Palët janë pajtuar që SZK-ja të bëhet pjesë e degës ekzekutive të Komunës së Prizrenit, me qëllim të fuqizimit të qeverisjes lokale dhe avancimit të projekteve të përbashkëta që tashmë janë të përfshira në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, është theksuar rëndësia e përfaqësimit të drejtë të komunitetit boshnjak dhe rikthimi i të drejtave që i takojnë këtij komuniteti. Një ndër projektet kryesore që do të realizohet është funksionalizimi i Qendrës Kulturore Boshnjake, e cila do t’u rikthehet qytetarëve si një hapësirë kulturore dhe komunitare.

Gjatë takimit, u diskutua gjithashtu për pozitën e Zëvendëskryetarit të Komunës për komunitete, duke e parë si një mundësi për të përforcuar përfaqësimin dhe pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve në qeverisjen lokale.

Scroll to Top