Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
27 nentor 2025
Të paktën 65 persona kanë humbur jetën dhe rreth 300 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pas një zjarri masiv që përfshiu një kompleks të madh banesash publike në Hong Kong.
Zjarri, i cili shkatërroi shtatë nga tetë kullat e kompleksit në lagjen Tai Po të mërkurën, është tashmë “kryesisht nën kontroll”, konfirmoi udhëheqësi i territorit.
Kompleksi Wang Fuk Court, ku jetojnë afërsisht 4,600 banorë sipas të dhënave më të fundit të regjistrimit, u përfshi nga flakët në një kohë kur nuk dihet saktësisht sa njerëz ndodheshin brenda.
Ndërkohë po shtrohen pyetje serioze mbi shkakun e zjarrit dhe përgjegjësinë e mundshme institucionale. Policia njoftoi se rrjetat dhe panelet plastike në fasadën e ndërtesave nuk ishin materiale rezistente ndaj zjarrit.
Autoritetet kanë arrestuar tre drejtues të kompanive të ndërtimit nën akuzën e dyshimit për vrasje nga pakujdesia dhe kanë hapur një hetim për korrupsion të mundshëm.
Korrespondenti ynë raporton se “aroma e djegies ndihet ende në ajër”, ndërsa re të dendura tymi vazhdojnë të varen mbi kullat e dëmtuara të Wang Fuk Court.

















