Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
04 dhjetor 2025
Ambasadori gjerman në Tiranë u ka dërguar një mesazh të qartë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP): të mos lejojnë ndikime të jashtme në procesin e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK. Ndërkombëtarët po monitorojnë nga afër zhvillimet, ndërsa java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për drejtësinë shqiptare.
Më 9 dhjetor, KLP do të zgjedhë drejtuesin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ku kandidati i vetëm është Joni Keta. Ndërsa më 11 dhjetor pritet të vendoset drejtuesi i ri i SPAK, post për të cilin garojnë Adnan Xholi, Klodian Braho, Doroleza Musabelliu dhe Elvin Gogaj.
Që prej shtatorit, SHBA, BE dhe ambasadori gjerman kanë zhvilluar disa takime me anëtarë të KLP-së, për shkak të shqetësimeve se politika mund të tentojë të ndikojë procesin. Diplomacia ndërkombëtare i ka intensifikuar sërish kontaktet këto ditë.
Sipas një njoftimi zyrtar, ambasadori Thomas Bergner është takuar sot me kryetaren e KLP-së, Mirela Bogdani, si dhe me disa anëtarë të tjerë të këshillit. Ai ka theksuar rolin kyç të KLP-së në garantimin e pavarësisë dhe integritetit të sistemit të prokurorisë në Shqipëri.
Në lidhje me zgjedhjen e pasuesit të Altin Dumanit në krye të SPAK, ambasadori Bergner u shpreh:
“Nën drejtimin e Altin Dumanit, SPAK ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është e rëndësishme që ky kurs të vazhdojë. Ne kemi besim se procesi i zgjedhjes do të jetë transparent dhe se anëtarët e KLP-së do të udhëhiqen vetëm nga përgatitja profesionale dhe integriteti i kandidatëve.”
Burime nga sistemi i drejtësisë bëjnë të ditur se takimet e diplomatëve me anëtarët e KLP-së do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim. Edhe ambasada amerikane ka përsëritur qartësisht qëndrimin e saj:
“Integriteti i procesit të zgjedhjes së Prokurorit të Posaçëm është thelbësor për vijimin e bashkëpunimit SHBA–Shqipëri në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.”
I njëjti mesazh është artikuluar edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, duke e kthyer këtë proces në një test të rëndësishëm për pavarësinë e drejtësisë në Shqipëri.

















