Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
Një urë e re panoramike, me gjatësi 290 metra mbi lumin Osum, tashmë lidh fshatrat Bilçë, Malinat dhe Zhitom me qytetin e Beratit, i cili mbrohet nga UNESCO. Investimi i mbështetur nga Bashkimi Evropian synon të forcojë lidhjet mes komuniteteve, të ruajë trashëgiminë kulturore dhe të hapë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe turizmin.
Ura ka përmirësuar ndjeshëm qasjen në qytet për mbi 2,500 banorë të zonës, duke zëvendësuar një rrugë të ngushtë dhe të vështirë. Ajo gjithashtu ka ndihmuar në uljen e trafikut në Qendrën Historike të Beratit, duke kontribuar në ruajtjen e monumenteve dhe karakterit të qytetit.
“Kjo urë ishte një ëndërr 50-vjeçare për banorët. Tani kemi më shumë vlerë për pronat dhe produktet tona. Është një lehtësim i jashtëzakonshëm për jetën e përditshme,” u shpreh Shkëlqim Hadaj, kryetar i Njësisë Administrative Velabisht, që përfshin 13 fshatra.
Banorët raportojnë rritje të vlerës së pronave dhe zhvillim të aktivitetit bujqësor dhe sipërmarrjeve artizanale në zonë. Fshatra si Bilçë, Drobonik, Bardhaj, Zhitomi dhe Terpan po përfitojnë nga akses më i lehtë drejt tregjeve dhe qytetit të Beratit.
Bilça, e njohur për ullirin, dhe Malinati, për vreshtat e saj, tashmë janë më të lidhura me pjesën jugore të Shqipërisë. Ura e re ka shkurtuar kohën e udhëtimit për në Përmet, Gjirokastër dhe deri në kufi me Greqinë, duke i dhënë një shtysë të re turizmit rajonal.
“Më parë duhej të kalonim nga Fieri për të shkuar në jug. Tani rruga është më e shkurtër dhe kjo do të sjellë më shumë autobusë turistikë në zonë,” theksoi Hadaj.
Me gjerësi 12.4 metra dhe dy korsi për automjete, ura është pjesë e një ndërhyrjeje më të gjerë infrastrukturore për të mbështetur turizmin e qëndrueshëm dhe zhvillimin rural në vend.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, tha se Bashkimi Evropian po ndërmerr hapa për të shmangur ndikimin negativ të mbi-turizmit në qytete të mbrojtura si Berati.
“Qytete të tëra në Evropë po përballen me pasojat e popullaritetit të tyre. Me këtë projekt, ne synojmë të ruajmë cilësinë e jetës për qytetarët e Beratit dhe njëkohësisht t’u ofrojmë vizitorëve një përvojë të këndshme,” deklaroi Gonzato.
Ai shtoi se ura forcon lidhjet mes Beratit dhe zonave si Gjirokastra, Përmeti dhe Saranda, duke u ofruar turistëve një përvojë të plotë që përfshin trashëgiminë historike, bregdetin dhe zonat malore si Mali i Tomorrit me pelegrinazhin e tij fetar.
Projekti është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Qeveria Shqiptare, Bashkia e Beratit, BERZH dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në kuadër të Programit për Zhvillimin Ekonomik Lokal të udhëhequr nga turizmi.
Ky program ka për qëllim të nxisë zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, të rigjallërojë ekonominë lokale dhe të krijojë mundësi të reja për agroturizmin, artizanatin dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës për banorët e zonave të përfshira.