Trump zyrtarizon vizitën e emisarit amerikan në Rusi

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

04 gusht 2025

Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar të dielën se i dërguari i tij special, Steve Witkoff, do të vizitojë Rusinë javën e ardhshme, në një kohë tensioni të lartë mes Uashingtonit dhe Moskës.

Sipas mediave ndërkombëtare, vizita e Witkoff vjen në prag të një afati të vendosur nga Trump, i cili i kërkon Rusisë të ndërmarrë masa konkrete për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, përndryshe do të përballet me sanksione të reja të ashpra. Detajet për to nuk janë bërë ende publike.

Duke folur para gazetarëve, Trump zbuloi gjithashtu se ka vendosur dy nëndetëse bërthamore “në rajon”, pas një “përplasjeje” që ka pasur me ish-presidentin rus, Dmitry Medvedev. Ai nuk specifikoi nëse bëhet fjalë për nëndetëse të armatosura me armë bërthamore apo vetëm me energji bërthamore, ndërsa vendndodhja e tyre mbetet e fshehtë për arsye sigurie.

“Po, bëni një marrëveshje ku ndalon vrasja e njerëzve,” ishte përgjigjja e Trump kur u pyet për mesazhin që do të përcjellë Witkoff në Moskë dhe nëse ekziston një rrugë për të shmangur sanksionet.

Witkoff pritet të udhëtojë drejt Moskës të mërkurën ose të enjten, ndërsa sipas Trump, ai ka pasur takime të mëparshme me Vladimir Putin, përpara se marrëdhëniet SHBA-Rusi të përkeqësoheshin.

Scroll to Top