Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
13 janar 2026
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ende nuk ka përcaktuar një afat konkret lidhur me blerjen e Groenlandës, por kjo çështje vazhdon të mbetet një prioritet strategjik për Uashingtonin. Këtë e konfirmoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e cila tha se presidenti ka qenë i qartë në qëndrimin e tij.
Sipas Leavitt, Trump vlerëson se mungesa e veprimit nga ana e SHBA-së mund të çojë në rritjen e ndikimit të Kinës ose Rusisë në Groenlandë, gjë që, sipas tij, do të përbënte rrezik për sigurinë amerikane, evropiane dhe vetë ishullin. Ajo shtoi se përfshirja e Groenlandës në SHBA do të ishte, sipas presidentit, në interes të ndërsjellë dhe do të siguronte mbrojtje më të madhe për territorin.
Ndërkohë, qeveria lokale e Groenlandës ka reaguar prerë, duke refuzuar çdo ide për kalimin e ishullit nën zotërimin e Shteteve të Bashkuara. Autoritetet groenlandeze kanë deklaruar se “në asnjë rrethanë” nuk do ta pranojnë një ndryshim të tillë të statusit të territorit.
Në deklaratën e tyre, ata theksuan se do të intensifikojnë angazhimin për sigurinë e ishullit brenda kornizës së NATO-s, duke kujtuar se Groenlanda është pjesë e aleancës përmes Mbretërisë së Danimarkës dhe se sovraniteti i saj mbetet i pacenueshëm.

















