Kosova përballet me valë të re të gripit sezonal këtë dimër, më të prekur të moshuarit dhe fëmijët

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

13 janar 2026

Kosova po përballet me valë të re të gripit sezonal këtë dimër.

Numri i të prekurve nga viroza është rritur, duke bërë që vizitat në ambulanca dhe qendra shëndetësore të shtohen ndjeshëm.

Nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Prishtinë thonë se gripi mund të ketë pasoja më serioze tek të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe personat me imunitet të dobësuar, duke nënvizuar nevojën për masa parandaluese dhe vaksinim të hershëm.

Krahasuar me muajin nëntor, gjatë muajit dhjetor është regjistruar një rritje e dukshme e qytetarëve që kërkojnë kontrolle mjekësore për shkak të gripit sezonal.

Kështu ka bërë të ditur kryeshefja dhe doktoresha në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Vjollca Zeqiri, e cila theksoi se gripi sezonal po prek të gjitha grupmoshat.

Sipas saj, krahasuar me muajin nëntor, gjatë dhjetorit është vërejtur një rritje e ndjeshme e numrit të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të gripit. Ajo shtoi se, megjithëse virusi është i përhapur te të gjitha moshat, më të rrezikuarit janë personat mbi 65 vjeç, pacientët me sëmundje kronike si dhe fëmijët deri në moshën 8-vjeçare.

Zeqiri ka folur edhe për simptomat më të shpeshta, të cilat përfshijnë dhimbje koke, teshtitje, kollë, rrjedhje apo bllokim të hundëve, dhimbje muskulore, temperaturë dhe ethe. Sipas saj, te fëmijët shpesh paraqiten edhe dhimbje barku, barkqitje dhe të vjella.

Duke folur për parandalimin, doktoresha Zeqiri theksoi rëndësinë e respektimit të masave mbrojtëse, si mbulimi i gojës gjatë teshtitjes, larja e shpeshtë e duarve me sapun dhe ujë të ngrohtë, shmangia e kontakteve me persona me simptoma të gripit, si dhe ajrosja e ambienteve dhe pastrimi i sipërfaqeve të shpeshta të kontaktit.

Ajo nënvizoi se vaksinimi mbetet mënyra më efektive për parandalimin e gripit sezonal, duke rekomanduar imunizimin për të gjitha grupmoshat, me theks të veçantë te personat mbi 65 vjeç, ata me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna.

Sipas Zeqirit, deri më tani janë vaksinuar rreth 11 mijë persona, ndërsa procesi i vaksinimit pritet të vazhdojë deri në muajt prill–maj.

Në fund, ajo bëri të ditur se gripi zakonisht zgjat deri në një javë, ndërsa simptomat më të theksuara shfaqen gjatë dy deri në tri ditët e para.

Scroll to Top