Tirana s’ka zgjedhje në 9 nëntor, KQZ pezullon përgatitjen e procesit. Kandidati Binaj: Nuk dal në fushatë me Berishën. Kreu i PD: Ka të drejtë

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

10 tetor 2025

Vetëm në pesë nga gjashtë qytetet e vendit të cilat sot janë pa kryetar Bashkie do të mbahen zgjedhje në 9 nëntor, ndërkohë që për Tiranën tashmë nuk ka një datë.

Gjithçka do të vendoset pas mbledhjes së Gjykatës Kushtetuese në 31 tetor, e cila do të shqyrtojë ankimimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pas shkarkimit nga detyra.

E vetmja gjë e sigurt është që në Tiranë në 9 nëntor nuk do të mbahen zgjedhje.

Këtë e konfirmoi sot edhe kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i cili tha në një konferencë për mediat se ka pezulluar punën për përgatitjen e zgjedhjeve në kryeqytet.

13:06 “Nuk do dal në fushatë me Berishën”, kreu i PD për kandidatin Florjan Binaj: Është i pavarur, nuk ka pse del me krerët e partive

I pyetur në konferencën e sotme për shtyp lidhur me deklaratat e kandidatit të opozitës, Sali Berisha tha se një kandidat i pavarur, pavarësisht se mbështetet nga parti politike, nuk ka pse të bëjë fushatë me kryetarët e këtyre partive. “E përshëndes plotësisht këtë deklaratë. Ka një rrymë që nuk realizojnë dot dallimin mes kandidatit të pavarur të mbështetur nga partitë politike dhe kandidatit jopartiak të propozuar nga partitë. Kandidati jopartiak i propozuar nga parti politike është kandidat i partisë politike”.

10:43 Kushtetuesja ngriu dekretin e Begajt, kreu i KQZ: Kemi pezulluar menjëherë përgatitjet për zgjedhjet në Tiranë

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi njoftoi KQZ ka pezulluar procesin e përgatitjeve për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës. Nga konferenca për media, Celibashi tha se pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, KQZ ndërpreu procesin e përgatitjeve për Tiranën. Ndërkohë kryekomisioneri tha se vijon normalisht procesi për 5 bashkitë e tjera që do të shkojnë në zgjedhje më 9 nëntor.

09:00 “Nuk do të dal në fushatë me Berishën”/ Kandidati opozitar për Tiranën, Florjan Binaj: Në fletën e votimit do jem kandidat i pavarur

Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, ka folur për herë të parë rreth këtij vendimi, teksa dha edhe një deklaratë të fortë në “Top Story”. Ai u shpreh se nuk do të dalë në fushatë as me Sali Berishën dhe as me drejtues të tjerë të partive opozitare. Binaj shtoi se nuk ka folur ende me Berishën, teksa ka kërkuar që të ketë bashkëpunime vetëm me grupe pune për fushatën.

Scroll to Top