TIA dhe Air Transat hapin linjën e parë direkte Tiranë–Toronto, një moment historik për aviacionin shqiptar

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

19 dhjetor 2025

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA), në bashkëpunim me kompaninë ajrore Air Transat, ka njoftuar hapjen e linjës së parë direkte pa ndalesë midis Tiranës dhe Torontos, duke shënuar një zhvillim historik për aviacionin shqiptar. Kjo linjë përfaqëson fluturimin e parë transoqeanik që niset nga TIA, si dhe lidhjen e parë ajrore direkte mes Shqipërisë dhe rajonit të Atlantikut të Veriut.

Fluturimi inaugurues nga Tirana drejt Torontos do të realizohet më 19 qershor 2026, në orën 15:00, ndërsa fluturimi i parë nga Toronto drejt Tiranës është planifikuar më 18 qershor 2026, në orën 22:00. Linja do të operohet me avion Airbus A330-200, me kapacitet rreth 350 pasagjerë, dhe do të funksionojë gjatë sezonit veror deri më 9 tetor 2026, me një frekuencë javore.

Drejtori i Operacioneve të TIA-s, Piervittorio Farabbi, e cilësoi hapjen e kësaj linje si një arritje madhore për aeroportin dhe për vendin, duke theksuar se ajo hap horizonte të reja për pasagjerët, turizmin dhe lidhjet ekonomike mes Shqipërisë, rajonit dhe Kanadasë. Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Air Transat dhe rolin e ekipeve të përfshira në realizimin e këtij projekti.

Linja Tiranë–Toronto i përgjigjet kërkesës në rritje për fluturime direkte ndërkontinentale, duke e bërë udhëtimin më të shpejtë dhe më praktik jo vetëm për pasagjerët nga Shqipëria, por edhe për ata nga rajoni. Ajo pritet të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin e turizmit, biznesit dhe shkëmbimeve kulturore.

Realizimi i kësaj lidhjeje ajrore u bë i mundur falë angazhimit të Qeverisë Shqiptare, koordinimit të institucioneve shtetërore dhe investimeve të vazhdueshme të Grupit Kastrati në modernizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, të cilat kanë garantuar kapacitetet e nevojshme infrastrukturore dhe operacionale për fluturime ndërkontinentale.

Hapja e linjës Tiranë–Toronto forcon më tej rrjetin e destinacioneve të TIA-s dhe nënvizon synimin strategjik të aeroportit për rritje afatgjatë dhe shndërrimin e Tiranës në një nyje të rëndësishme të aviacionit në rajon.

Scroll to Top