Tetova në ditë zie sot, pas vdekjes së Shpat Kasapit

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

01 dhjetor 2025

Në Tetovë është shpallur ditë zie sot, pas ndarjes nga jeta të këngëtarit të njohur Shpat Kasapi. Vendimi u bë publik përmes një njoftimi të Komunës së Tetovës, e cila vlerësoi kontributin e artistit në kulturën dhe muzikën shqiptare.

“Sot, (e hënë) 01.12.2025, Komuna e Tetovës shpall ditë zie në gjithë territorin e saj për shkak të vdekjes së këngëtarit Shpat Kasapi. Ai ka dhënë një kontribut të çmuar për zhvillimin e kulturës dhe muzikës në Tetovë, në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në skenën muzikore shqiptare. Ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë artdashësve”, thuhet në njoftim.

Shpat Kasapi ndërroi jetë të mërkurën në Itali, në moshën 40-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak. Ai u përcoll për në banesën e fundit të dielën, në varrezat e Tetovës, ku mijëra qytetarë u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Këngëtari Blero, mik dhe koleg i të ndjerit, ka shprehur publikisht dhimbjen e tij për humbjen e Kasapit. Në një mesazh prekës, ai shkroi:

“Shpat i dashur… Njerëz si ti nuk largohen, ata thjesht kthehen në dritë. Dhe dritën tënde do ta mbajmë me vete, në çdo këngë që do të dëgjojmë, në çdo kujtim që do ndajmë. U prehtë në paqe shpirti yt i bardhë. Lavdi kujtimit të Shpatit, një njeriu që na la më shumë se sa mori.”

Vdekja e papritur e artistit ka tronditur publikun shqiptar, ndërsa homazhet dhe mesazhet e ngushëllimit kanë vazhduar nga figura të shumta të artit dhe kulturës.

Scroll to Top