Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
23 dhjetor 2025
Protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike, e cila nisi fillimisht në mënyrë paqësore, u shoqërua me tensione të forta në mbrëmje, pas përfundimit të fjalimit të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, para Kryeministrisë.
Pas mbylljes së fjalimit, disa protestues hodhën bomba molotov drejt kordonit të policisë dhe hyrjes së Kryeministrisë, duke shkaktuar flakë dhe tym. Zjarri u neutralizua shpejt nga forcat e rendit. Gjatë këtyre momenteve, një protestues u përfshi nga flakët, pasi iu afrua një molotovi të hedhur në shesh. Ai u ndihmua menjëherë nga persona të pranishëm në protestë.
Situata u tensionua më tej me përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, teksa u tentua thyerja e kordonëve të sigurisë. Si pasojë, dy efektivë policie mbetën të lënduar. Policia bëri të ditur se situata u mbajt nën kontroll.
Pas incidenteve, protestuesit nisën të shpërndahen nga zona e Kryeministrisë dhe një pjesë e tyre marshuan drejt Ministrisë së Brendshme, ndërsa protesta u shua gradualisht.
Protesta u parapri nga një seri fjalimesh të drejtuesve të PD-së, të cilët kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar situatën politike si kritike dhe duke bërë thirrje për qëndresë.

















