Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
30 janar 2026
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, ka deklaruar se Parlamenti Evropian nuk mban qëndrime apo komenton raste konkrete juridike, lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.
Ai theksoi se është standard evropian që institucionet të ushtrojnë detyrat e tyre në mënyrë të pavarur dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sipas Schieder, përgjegjësia për trajtimin e rasteve të tilla i takon institucioneve përkatëse në Shqipëri, përfshirë SPAK-un dhe organet e tjera shtetërore, ndërsa Parlamenti Evropian ndjek vetëm rregulloren e vet dhe nuk ndërhyn në çështje specifike.
Ai shtoi se Parlamenti Evropian ka qenë i qartë në mbështetjen ndaj institucioneve të drejtësisë, por nuk është detyrë e tij të bëjë komente për raste individuale. Schieder shprehu besimin se, bazuar në përbërjen aktuale të institucioneve, diskutimet dhe vendimet do të merren në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit.
Duke folur për procedurat, raporteri i PE theksoi se çdo kërkesë ndjek afate të përcaktuara dhe më pas trajtohet në seancë sipas rregullave përkatëse, ndërsa theksoi se edhe në Shqipëri ekzistojnë afate ligjore që duhet respektuar në raste të tilla.

















