Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
04 dhjetor 2025
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në Panelin e Nivelit të Lartë të Javës së CEFTA 2025, mbajtur në Prishtinë, ku u mblodhën drejtuesit kryesorë të rajonit për të diskutuar prioritetet e bashkëpunimit tregtar dhe integrimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se vendet e rajonit po përballen me një situatë të re globale, të diktuar nga ndryshimet në zinxhirët e furnizimit, sfidat klimatike dhe konkurrenca në rritje, duke kërkuar tregje më të integruara e më të qëndrueshme. Ajo nënvizoi se CEFTA mbetet një mekanizëm thelbësor për stabilitetin ekonomik, rritjen afatgjatë dhe afrimin me tregun e përbashkët të BE-së.
Ministrja theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit të përditshëm midis vendeve anëtare, përmes harmonizimit të rregullave, digjitalizimit të pikave kufitare, rritjes së transparencës dhe përfshirjes më të madhe të biznesit dhe NVM-ve në hartimin e politikave. Ajo shtoi se progresi në CEFTA kërkon vullnet politik të konsoliduar dhe eliminimin e pengesave burokratike, për të garantuar një klimë më të favorshme për sipërmarrjen dhe investimet.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte tërheqja e investimeve me vlerë të shtuar. “Rajoni duhet të orientohet drejt investimeve që sjellin teknologji, aftësi dhe produktivitet, duke krijuar një platformë funksionale për integrimin gradual në tregun e BE-së”, u shpreh Ibrahimaj.
Gjatë panelit u konfirmua se Shqipëria do të marrë Presidencën e CEFTA-së në vitin 2026. Ministrja prezantoi katër prioritetet strategjike të vendit për këtë mandat:
– Forcimi i bashkëpunimit politik dhe institucional mes vendeve të CEFTA-së;
– Rritja e transparencës dhe përfshirjes së aktorëve ekonomikë e socialë në procesin e politikëbërjes;
– Rezultate konkrete për bizneset, me fokus në lehtësimin e qarkullimit të mallrave, Green Lanes, turizmin dhe tregtinë agro-ushqimore;
– Mbështetja e investimeve me vlerë të shtuar nëpërmjet një tregu rajonal më të harmonizuar dhe të parashikueshëm.
Ibrahimaj theksoi se CEFTA ndodhet në një moment kyç dhe se Shqipëria mbetet e përkushtuar për ta çuar përpara këtë proces në frymën e integrimit europian dhe zhvillimit të përbashkët ekonomik të rajonit.

















