Shqipëria investon në energjinë e erës dhe diellore: Parku eolik i Tropojës me kapacitet 600 MW

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

12 janar 2026

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vizituan këtë të hënë, 12 janar, parkun eolik të Tropojës, një nga investimet më të mëdha në sektorin e energjisë së rinovueshme në vend.

Ministrja Balluku theksoi se ky projekt tregon faza të reja në sektorin energjitik shqiptar, ku investimet private dhe ato të huaja po shndërrohen në një motor të fuqishëm rritjeje ekonomike. “Tranzicioni energjitik po merr formë çdo ditë, duke ndryshuar hartën energjitike të vendit,” shtoi ajo.

Qeveria shqiptare ka nisur këtë strategji që nga viti 2018, duke diversifikuar burimet energjitike dhe duke mos u mbështetur vetëm te hidrocentralet ekzistuese, por duke zhvilluar impiante diellore dhe eolike. Sipas ministres, vetëm në vitet e fundit 1.5 miliardë euro janë investuar në sektorin energjetik privat, ndërsa mbi 2 miliardë euro janë dedikuar për burimet e rinovueshme.

Balluku nënvizoi se projektet e reja do të sjellin kapacitete prodhuese mbi 1.500 MWh dhe 1.600 MWh kapacitete depozituese në fazë studimi dhe vlerësimi financiar. Shqipëria ka kaluar tashmë nga projektet pilot të energjisë diellore në impiante të mëdha, ndërsa për energjinë e erës po hyhet në fazën e realizimit të projekteve konkrete.

Investimet e reja, sipas ministres, do të rrisin të ardhurat dhe do të fuqizojnë ekonominë lokale, duke krijuar edhe vende të reja pune. Gjithashtu, Shqipëria po investon në linjat e transmetimit për t’u lidhur me të gjithë vendet fqinje.

Sektori energjitik luan një rol kyç edhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke ndërtuar themele për një sistem energjitik të qëndrueshëm dhe të shfrytëzueshëm nga brezat e ardhshëm.

Parku eolik i Tropojës, me kapacitet të pritshëm prej 600 MW, po zhvillohet nga kompania amerikane CWP.

Lajmi është në përditësim…

Scroll to Top