Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
09 dhjetor 2025
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka dalë në një deklaratë zyrtare pas komenteve të kryeministrit Edi Rama në lidhje me pezullimin e zv/kkryeministres Belinda Balluku.
“Shoqata shpreh shqetësimin dhe indinjatën lidhur me qasjen që kreu i pushtetit ekzekutiv ka zgjedhur të bëjë për këtë problematikë, e cila është pjesë e juridiksionit të pushtetit gjyqësor”, thuhet në reagimin e saj.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve shpreh shqetësimin e saj për mënyrën se si po interpretohet pezullimi i zv/kryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë. Sipas shoqatës, deklarata të tilla synojnë të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor dhe mund të përdoren për masa që minojnë pavarësinë e tij.
“Nën petkun e ankesës për uzurpim, fshihet një mesazh presioni ndaj gjyqtarëve që shqyrtojnë çështjen, ndërsa deklaratat e përditshme ndaj publikut synojnë të dobësojnë besimin tek drejtësia,” thuhet në reagimin e shoqatës. Ajo thekson se ndarja dhe balancimi i pushteteve janë parime themelore të demokracisë dhe se pavarësia e gjyqësorit përbën gurin themelor të shtetit të së drejtës.
Shoqata nënvizon se çdo akt ose deklaratë që perceptohet si kërcënim ndaj gjyqtarëve ose ul reputacionin e tyre në publik minon besimin tek organet e drejtësisë. Në raportet e saj, Komisioni Evropian ka evidentuar vazhdimin e presionit ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë dhe politikanë.
Gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve, thotë shoqata, dhe vendimet e tyre nuk varen nga opinioni publik, por nga zbatimi i ligjit. Shoqata fton zyrtarët e ekzekutivit dhe legjislativit të respektojnë pavarësinë e gjyqtarëve dhe të distancohen nga çdo veprim që mund ta cënojë atë.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pezullimi i Ballukut është “absurd dhe i paprecedentë” dhe cenon kufijtë mes pushteteve. Ai ka theksuar se ankimimi në Gjykatën Kushtetuese nuk është për presion politik, por për të mbrojtur ndarjen e pushteteve dhe imunitetin e anëtarëve të qeverisë.
Balluku u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme pas ngritjes së akuzave për shkelje të barazisë në tendera. Qeveria kërkon shfuqizimin e vendimit dhe mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës është caktuar më 12 dhjetor.

















