Shëndetësia kushton, duhet t’i japë buxhetin e duhur”/ Mjeku: Shqipëria nuk ka 13 indikatorët bazë për diagnostikimin e kancerit, pacientët me tumor pa trajtimin e duhur

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

22 tetor 2025

Mjeku Gazment Koduzi, i ftuar në emisionin Log, ka ngritur alarmin për situatën e trajtimit të pacientëve me tumor në Shqipëri, duke e cilësuar shqetësuese mungesën e investimeve dhe buxhetin e pamjaftueshëm që qeveria i akordon sektorit të shëndetësisë.

Sipas Koduzit, Shqipëria renditet e fundit në rajon për aksesin ndaj barnave të reja onkologjike, ndërkohë që rastet e reja me tumor po shtohen nga viti në vit.

“Kur ministrja thotë se shëndetësia kushton, atëherë duhet t’i japë buxhetin e duhur. Jemi të fundit për akses në barnat e reja, të fundit për mjekim,” – theksoi ai.
Mjeku shtoi se sistemi shëndetësor nuk ka funksionalë 13 indikatorët bazë që do të mundësonin diagnostikim dhe ndjekje efektive të pacientëve me kancer.

“Kur flasim për incidencën, nënkuptojmë kapjen e rasteve në kohë. Por për këtë duhet të funksionojnë 13 indikatorë që ne nuk i kemi. Ne thjesht themi: ka ose s’ka kancer,” – u shpreh Koduzi.
Ai kujtoi edhe një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku theksohej se spitalet rajonale nuk kanë një sistem kostifikimi, pra nuk dihet sa kushton realisht trajtimi i një pacienti me kancer.

Në fund, Koduzi shprehu shpresën se me emërimin e një mjekeje në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, mund të ketë më shumë kuptim dhe përkushtim për problemet reale të sistemit.

Scroll to Top