Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
30 shtator 2025
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë i ka quajtur të pasakta deklarimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili pezullimin e dialogut strategjik me Qeverin në detyrë e ka ndërlidhur me Serbinë apo faktor të tjerë të jashtëm.
Njëri nga zëdhënësit e Ambasadës së SHBA -së në Prishtinë tha se SHBA-të e kanë shprehur edhe drejpërdrejtë shqetësimin e tyre tek kryeministri duke ia bërë të qartë se pezullimi i dilalogut strategjik ka të bëjë me veprimet e Qeverisë në detyrë.
“Vendimi për të pezulluar dialogun strategjik bazohet tërësisht në veprimet e qeverisë kujdestare të Kosovës. Çdo sugjerim se kjo lidhet me Serbinë apo faktorë të tjerë të jashtëm është i pasaktë dhe një përpjekje për të shmangur çështjet thelbësore që janë në fjalë. Ne ia kemi shprehur drejtpërdrejt shqetësimet tona Kryeministrit, dhe e kemi bërë të qartë qëndrimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
SHBA bëri të ditur se i duhet një partner që e kupton nevojën për të shmangur veprimet destabilizuese dhe që është i përkushtuar për avancimin e stabilitetit rajonal dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara do të mbeten gjithmonë një mik i ngushtë i popullit të Kosovës dhe jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje partnerëve tanë të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitet dhe siguri.
Ne duam të ecim përpara me qeverinë kujdestare, por na duhet një partner që e kupton nevojën për të shmangur veprimet destabilizuese dhe që është i përkushtuar për avancimin e stabilitetit rajonal dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë veprimet e qeverisë së përkohshme’’, thuhet në përgjigjen e SHBA-së.

















