QKUK trajton me sukses rastin e rrallë të TTP-së përmes ndërhyrjes jetike me plasmaferezë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

30 shtator 2025

Në Klinikën e Hematologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është trajtuar me sukses një rast i rrallë dhe kërcënues për jetën, përmes procedurës jetike të plasmaferezës.

Sipas njoftimit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), bëhet fjalë për një pacient 56-vjeçar me inicialet S.S., i cili kishte një histori të gjatë të anemisë hemolitike jo autoimune dhe trombocitopenisë. Pas vlerësimeve të detajuara diagnostike, pacienti u diagnostikua me Trombocitopeni Trombocitike Purpurike (TTP) – një çrregullim i rrallë hematologjik me rrezik të lartë për jetën në mungesë të trajtimit të menjëhershëm.

Mirëpo, falë diagnostikimit të shpejtë nga ekipi i Klinikës së Hematologjisë, bashkëpunimit dhe përkushtimit të stafit mjekësor, mjek dhe infermier, procedura u realizua me sukses nga mjekët e repartit të Kujdesit Intenziv të Klinikës së Pediatrisë në bashkëpunim me ekipin mjekësor të Klinikës së Hematologjisë si dhe mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.

“Ky rast është një dëshmi e qartë se diagnostikimi i hershëm, aparaturat moderne dhe reagimi i koordinuar multidiciplinar janë thelbësore për të shpëtuar jetë, me ç’rast QKUK, respektivisht Klinika e Hematologjisë së QKUK-së, konsiderohet Qendër referente për trajtimin e sëmundjeve të rënda të gjakut”, thuhet tutje në njoftim.

Scroll to Top