Sali Berisha sot në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitje

Koha e parashikuar e leximit: 1 minut

04 gusht 2025

Ish-kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të paraqitet sot në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, si i pandehur i aferës ‘Partizani’.

Dosja për këtë hetim kaloi për gjykim më 19 maj, në të cilën Berisha gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë.

Kryedemokrati akuzohet se në cilësinë e kryeministrit të kohës, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi për ndërtimin e 19 kullave në truallin e ish-kompleksit sportive Partizani. Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash.

Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Që prej kalimit të dosjes për gjykim, deri tani janë zhvilluar 2 seanca gjyqësore, të cilat janë shtyrë. Seanca e radhës është caktuar për në datë 15 shtator.

Scroll to Top