Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
24 shtator 2025
Sezoni i kaluar nuk ishte aspak i lehtë për Albion Rrahmanin. Ai luajti pak, shpesh ishte i shqetësuar dhe pyeste veten se ku kishte gabuar. “Kisha prekur fundin”, ka pranuar sulmuesi kosovar për mediat çeke, duke treguar periudhën e vështirë që kaloi.
Por këtë vit gjithçka ka marrë tjetër drejtim. Në edicionin e tij të dytë te Sparta Praga – klub që pagoi 5 milionë euro për ta transferuar – Rrahmani ka nisur shkëlqyeshëm.
Ai ka realizuar tetë gola në 15 paraqitje në të gjitha garat, pesë në kampionatin çek dhe tre në kualifikimet e Ligës së Konferencës, si dhe ka dhënë një asistim.
“Dallimi është si dita me natë, jam më i fortë në kokë”, tha 25-vjeçari në një intervistë për mediumin çek iSport.
Një futbollist i thjeshtë dhe modest
Rrahmani shfaqet i përulur dhe i afërt. Në qendrën stërvitore të Strahovit, ku dha intervistën, i përshëndeti të gjithë me buzëqeshje.
Ai pranon se flet vetëm disa fjalë në gjuhën çeke: “Është gjuhë e vështirë”. Megjithatë, me anglishten e tij të rrjedhshme, tregoi hapur për besimin, lidhjen e fortë me babain dhe ëndrrën e madhe që ka me Spartën dhe Kombëtaren e Kosovës.
“Dua të kualifikohem në Kampionatin Evropian ose Botëror me Kosovën”, theksoi ai.
Me Kosovën, në 17 ndeshje ka realizuar 6 gola, duke u konsideruar si një prej sulmuesve kryesorë të së ardhmes.
“Lewandowski i Malishevës”
Në intervistë, Rrahmani shpjegoi edhe origjinën e nofkës së tij të famshme, e cila u përhap fillimisht në Kosovë dhe më pas edhe në Rumani.
“Filloi me një komentator, i cili pas golit tim nisi të bërtiste në komentim ‘Lewandowski i Malishevës’. Dhe askush më nuk u ndal. U përhap. Sot shokët e mi të ekipit përfaqësues dhe miqtë më quajnë kështu. Madje u përhap edhe në Rumani”.
Krahasimi me Robert Lewandowskin, yllin e Barcelonës, është diçka që Rrahmani e pranon me kënaqësi.
Rrënjët e suksesit dhe ndikimi i të atit
Sulmuesi tha se aftësinë për gjuajtje e ka zhvilluar falë punës me babain e tij, Dritonin, ish-futbollist i njohur. Ai njihet për golat nga distanca, me goditje të forta dhe të sakta.
“Kërkon teknikë. Kjo është arsyeja pse shpesh qëndroj në fushë me trajnerët dhe djemtë pas stërvitjes dhe organizojmë gara të ndryshme me gjuajtje. Më detyron të jem i përqendruar dhe shumë i saktë”, shpjegoi Rrahmani.
Nga Llapi te Sparta Praga
Karriera e tij nisi me të rinjtë e Llapit, për të vazhduar më pas me Minatorin, Bashkimin, Malishevën dhe Ballkanin. Në vitin 2023 bëri hapin e madh jashtë vendit, duke kaluar nga Ballkani te Rapid Bukureshti, ku shkëlqeu dhe tërhoqi vëmendjen e skautëve.
Pikërisht aty nisi edhe rrugëtimi drejt transferimit rekord te Sparta Praga, ku sot po tregon më së miri vlerat e tij.
















