Rihapet platforma sociale TikTok pas 1 viti, reagon kryeministria: Do të vendosen mekanizma të rinj sigurie

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

05 shkurt 2026

Qeveria shqiptare ka reaguar zyrtarisht pas vendimit për heqjen e masave të përkohshme që kufizonin aksesin në platformën sociale TikTok në Shqipëri. Sipas njoftimit, përdoruesit tashmë kanë akses të plotë në aplikacion, ndërsa autoritetet paralajmërojnë vendosjen e mekanizmave të rinj të sigurisë që më herët nuk ishin në funksion.

Agjencia për Media dhe Informim sqaroi se vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 3 shkurt 2026 është marrë pas një rivlerësimi institucional dhe adresimit të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, veçanërisht për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve.

Masat e vendosura në mars të vitit 2025 u konceptuan si ndërhyrje parandaluese, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe hapjen e një dialogu konstruktiv me përfaqësuesit e TikTok. Si rezultat, autoritetet shqiptare kanë vendosur një bashkëpunim të drejtpërdrejtë me platformën për zbatimin e filtrave mbrojtës përmes fjalëve kyçe, forcimin e kontrolleve të përmbajtjes dhe përmirësimin e mekanizmave të raportimit të shkeljeve.

Vendimi aktual shënon kalimin nga një masë kufizuese në një fazë të re monitorimi aktiv, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgjegjësie të përbashkët me platformat digjitale.

Paralelisht, institucionet po hartojnë një plan gjithëpërfshirës komunikimi dhe ndërgjegjësimi, i fokusuar te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit, për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të rrjeteve sociale. Synimi është forcimi i edukimit digjital dhe ndërtimi i një kulture sigurie në hapësirën online.

Kujtojmë se vendimi për bllokimin e përkohshëm të TikTok u mor pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, një ngjarje e rëndë e lidhur me një konflikt të nisur në rrjetet sociale. Me heqjen e masave, aplikacioni është rihapur për rreth 1.5 milion përdorues shqiptarë, ndonëse një pjesë e tyre e kishin përdorur edhe gjatë periudhës së bllokimit përmes VPN-ve.

Scroll to Top