shqiperia

“Rezultatet e Shqipërisë u rritën me 0.80 pikë”, raporti i BTI: Vendi ka bërë përparime në të gjitha fushat e qeverisjes, veçanërisht në drejtësi

Bertelsmann Transformation Index (BTI), projekti i Fondacionit të pavarur Bertelsmann, që analizon indeksin e cilësisë së qeverisjes në 137 vende, ka publikuar raportin për vitin 2024, me një rreze analizimi nga 1 shkurt 2021 deri në 31 janar 2023.

Në këtë raport vlerësohet se vetëm 63 mbeten demokraci, ndërsa shumica e vendeve janë të klasifikuar si autokraci.

Sipas raportit Shqipëria ka performuar më mirë në të gjithë treguesit e raportit krahasuar me të gjitha raportet e publikuara që prej vitit 2006.

Indeksi i Qeverisjes konfirmon se Shqipëria është një vend me qeverisje të mirë, duke u renditur e 13-ta në botë nga vendet e analizuara. Përveç renditjes e 13-ta në Indeksin e Qeverisjes, është pozicionuar gjithashtu e 21-ta për kategorinë e Transformimit Politik, dhe e 23-ta për Transformimin Ekonomik.

Në indeksin e vitit 2024, vlerësimet për Shqipërinë për transformimin politik janë rritur me 0.80 pikë në shkallën dhjetëpikëshe. Shqipëria është vetëm një nga tetë vende të BTI-së që kanë bërë progres substancial politik në dekadën e fundit. Veçanërisht i rëndësishëm është përmirësimi i shpejtë në cilësinë e qeverisjes, që është rritur me 1.69 pikë në BTI gjatë dhjetë viteve të fundit, duke e renditur Shqipërinë ndër tre vendet me përmirësimin më të madh të qeverisjes në botë.

Vendi ka bërë përparime në të gjitha fushat e qeverisjes, sipas raportit por, me një rritje prej 2.0 pikësh, veçanërisht në fushën e efikasitetit të burimeve, përfshirë politikat kundër korrupsionit.

Vlerësimi është rezultat i një procesi bashkëpunimi të rreth 300 ekspertëve nga universitete dhe think tank prestigjioze në mbi 120 vende. Periudha e marrë në vlerësim për indeksin e vitit 2024 përkon me 1 shkurt 2021 deri në 31 janar 2023. BTI është i vetmi indeks krahasues ndërkombëtar që mat cilësinë e qeverisjes përmes të dhënave dhe datave të grumbulluara autentike, duke ofruar kështu një analizë krahasuese mbi menaxhimin politik në proceset transformuese të vendeve të analizuara.

Përfaqësuesja e këtij projekti Daniela Schwarzer, shprehet se Shqipëria tregon progres të dukshëm në demokraci dhe qeverisje, veçanërisht në lidhje me përmirësimet e shtetit të së drejtës.

Në një postim të bërë në rrjetet sociale, ajo shprehet se reforma në drejtësi dhe përfundimi me sukses i procesit të vetingut janë arritje të mëdha dhe vendimtare për luftimin e korrupsionit në gjyqësor.

“Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët u shqyrtuan për shpërdorim detyre dhe lidhje me organizata kriminale. Struktura e Specializuar për Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka hetuar dhe ndjekur me sukses rastet kundër korrupsionit, duke përfshirë politikanë të nivelit të lartë dhe incidente që përfshijnë mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.

‘Hapja e të gjithë kapitujve në procesin e anëtarësimit në BE është një njohje e arritjeve të deritanishme të Shqipërisë dhe në forcimin e agjendës për reforma të mëtejshme”, shkruan ajo.

“Dhe shoqëria civile e Shqipërisë ka gjithashtu një rol të rëndësishëm për të luajtur. Rezultatet e Indeksit aktual të Transformimit të Bertelsmann Stiftung, tregojnë progresin mbresëlënës të Shqipërisë. Nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, rezultatet e Shqipërisë për transformimin politik janë rritur me 0.80 pikë në shkallën dhjetë pikësh të BTI. Shqipëria është një nga vetëm tetë (nga 137) vendet e BTI që ka bërë përparim të konsiderueshëm politik në dekadën e fundit”, shton më tej.

Scroll to Top