Rama vizitë në Izrael, zbardhet axhenda e kryeministrit

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

26 janar 2026

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet në një vizitë pune në Jeruzalem, Izrael, e cila ka nisur më 25 janar dhe do të përfundojë më 27 janar. Vizita zhvillohet në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.

Ngjarja kryesore e axhendës është fjalimi i Kryeministrit Rama në seancën plenare të posaçme të Knessetit, Parlamenti i Izraelit, e cila do të nisë sot në orën 16:15. Ky fjalim zhvillohet sipas një protokolli të veçantë, i rezervuar për një numër të kufizuar liderësh botërorë, ku së fundmi ka folur edhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump.

Gjatë vizitës, Kryeministri Rama shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, si dhe nga një delegacion zyrtar.

Më herët gjatë ditës, në orën 11:00, Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim me homologun izraelit, Benjamin Netanyahu, pas të cilit dy delegacionet do të mbajnë një deklaratë të përbashkët për shtyp.

Të dielën, Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij vizituan memorialin e viktimave të Festivalit Nova, i cili përkujton viktimat e masakrës së ndodhur gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023.

Sipas axhendës zyrtare, pasdite Kryeministri Rama do të mbërrijë në Knesset, ku do të pritet me një ceremoni shtetërore që përfshin rojet e nderit, ekzekutimin e himneve kombëtare dhe vendosjen e kurorave në monumentet përkujtimore të ushtarëve të rënë dhe viktimave të terrorit. Më pas, ai do të firmosë Librin e Përshtypjeve dhe do të zhvillojë takime me drejtuesit e Parlamentit izraelit.

Në seancën plenare speciale të Knessetit, përveç Kryeministrit Rama, do të mbajnë fjalime edhe Kryetari i Knessetit, Amir Ohana, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe lideri i opozitës, Yair Lapid.

Më 27 janar, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalim në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog. Gjatë qëndrimit në Jeruzalem, Kryeministri Rama pritet të kryejë edhe disa vizita simbolike, përfshirë Murin e Lotëve dhe Kishën e Varrit të Shenjtë.

The current image has no alternative text. The file name is: rama-linda.jpg
Scroll to Top