Rama shuan projektin e banesave sociale te “Autotraktorët” për t’i hapur rrugë kullave

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

10 tetor 2025

Kryeministri ka anuluar vendimin e vitit 2020 për ndërtimin e 2000 apartamenteve për familjet e pastreha pas tërmetit, duke kthyer zonën në një territor ndërtimi për oligarkët e lidhur me pushtetin…

Kryeministri Edi Rama i ka vënë “kryqin” hallit të mijëra familjeve të pastreha e në nevojë, të mbetura pa shtëpi pas tërmetit, për të favorizuar biznesin e ndërtuesve të kullave, oligarkëve dhe klientëve të lidhur me të, disa prej të cilëve janë trafikantë që pastrojnë miliarda në ndërtim.

Me Vendim Qeverie Nr. 553, datë 1 tetor 2025, Rama shfuqizoi Vendimin Nr. 79, datë 31 janar 2020, me të cilin ishte planifikuar që zona “Autotraktorët” në Tiranë të kthehej në një zonë ndërtimi me 2000 banesa sociale, për strehimin e familjeve të mbetura pa shtëpi pas tërmetit, për familjet në nevojë dhe çiftet e reja.

Ky projekt do të realizohej nga Bashkia e Tiranës përmes shoqërisë shtetërore “Tirana DC sh.a.”, ndërsa banesat do të shpërndaheshin nga bashkia, nëpërmjet dhurimit për familjet e dëmtuara ose me kontrata qiraje të lehtësuara. Banesat do të financoheshin nga fondet e marra përmes kredisë dhe donacioneve ndërkombëtare në vlerën 1.2 miliardë euro, që Qeveria Shqiptare i mblodhi posaçërisht për këtë qëllim.

Por për gjashtë vite, Rama nuk e zbatoi vendimin për ndërtimin e kësaj zone të re banimi, ndërsa fondet dhe donacionet e mbledhura për projektin nuk dihet se ku kanë përfunduar. Për më tepër, ai nuk ka lejuar as verifikimin nga Auditi i Brendshëm i Ministrisë së Financave.

Më 1 tetor 2025, Rama firmosi shfuqizimin e vendimit të vitit 2020, duke anuluar projektin për ndërtimin e 2000 apartamenteve sociale dhe shuar shpresat për strehimin e mijëra familjeve në nevojë.

Në vend të banesave sociale, kryeministri ka udhëruar që sipërfaqja e zonës “Autotraktorët” të përcaktohet si zonë e zhvillimit me ndërtime të larta. Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka nisur tashmë të pranojë kërkesa nga kompanitë e ndërtimit për ngritjen e kullave, hoteleve dhe qendrave tregtare.

Se cilët oligarkë apo biznesmenë të lidhur me trafikantë do të ndërtojnë në këtë zonë, dihet vetëm nga Rama, i cili do të përzgjedhë vetë ndërtuesit dhe t’i pajisë me leje ndërtimi. Ndërkohë, familjet e pastreha dhe çiftet e reja, që mashtruan me premtime gjatë fushatave elektorale, nuk do të kenë asnjë mundësi për të përfituar një banesë, sepse kryeministri mendon vetëm për kullat dhe fitimet e klientëve të tij.

Scroll to Top