Presidenti Begaj: Orientimi euroatlantik, zgjedhje identiteti dhe garanci e sigurisë së Shqipërisë

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

29 janar 2026

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi mbrëmjen e sotme pritjen tradicionale me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri, ku theksoi orientimin e palëkundur euroatlantik të vendit dhe rolin aktiv të Shqipërisë në zhvillimet ndërkombëtare.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit i ftoi ambasadorët që ta konsiderojnë Shqipërinë si shtëpinë e tyre, duke nënvizuar se marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe përkatësia në NATO përbëjnë shtyllat kryesore të sigurisë dhe orientimit ndërkombëtar të vendit.

Presidenti Begaj rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për integrimin evropian, duke theksuar progresin e shënuar në hapjen e grup-kapitujve të negociatave dhe zbatimin e reformave transformuese, të cilat, sipas tij, e kanë kthyer procesin nga aspiratë në një angazhim të strukturuar dhe të bazuar në meritë.

Duke folur për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Begaj e cilësoi partneritetin si një lidhje të veçantë historike, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, besim dhe angazhim për demokracinë dhe lirinë. Në këtë kuadër, ai përmendi ftesën e Presidentit Donald Trump për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, duke e cilësuar atë si vlerësim për rolin e Shqipërisë si partner i besueshëm dhe i qëndrueshëm.

Presidenti theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të NATO-s në kushtet e sfidave të reja të sigurisë, duke përmendur investimet e Shqipërisë në mbrojtjen moderne dhe sigurinë kibernetike.

Në lidhje me zhvillimet rajonale, Kreu i Shtetit e cilësoi Shqipërinë si një faktor stabiliteti dhe një spirancë të orientimit euroatlantik në Ballkanin Perëndimor, duke ritheksuar mbështetjen e palëkundur për Kosovën, politikat e fqinjësisë së mirë dhe promovimin e dialogut rajonal.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe diasporës shqiptare, për të cilën Presidenti shprehu mirënjohje për kontributin në zhvillimin ekonomik dhe promovimin e turizmit, duke theksuar nevojën për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve.

Në përfundim, Presidenti Begaj vlerësoi se viti 2026 përbën një moment kyç për konsolidimin institucional dhe afrimin e Shqipërisë me standardet evropiane, duke theksuar synimin për të thelluar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe për të nxitur zhvillim të qëndrueshëm.

Scroll to Top