Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
29 janar 2026
Ndërmarrja Komunale “Pastrimi” ka qenë prej kohësh përballë vështirësive në grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë, për shkak të mungesës së kapaciteteve të mjaftueshme teknike dhe operative. Si rrjedhojë, KRM “Pastrimi” Sh.A. i është drejtuar Komunës së Prishtinës me kërkesë për mbështetje institucionale.
Pas kësaj kërkese, Komuna e Prishtinës ka reaguar duke ofruar ndihmë të menjëhershme dhe ka nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me Ndërmarrjen Rajonale “Pastrimi”, përmes së cilës janë përcaktuar format konkrete të bashkëpunimit dhe parimet bazë ndërinstitucionale.
Në kuadër të marrëveshjes, ka nisur sot angazhimi i Ndërmarrjes Rajonale “Pastrimi” në terren, me fokus në grumbullimin dhe largimin e mbetjeve inerte, përfshirë mbeturinat ndërtimore dhe ato vëllimore, nga deponitë ilegale në territorin e kryeqytetit.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se ky bashkëpunim synon forcimin e kapaciteteve operative, rritjen e efikasitetit të shërbimeve dhe përmirësimin e pastërtisë në qytet. Sipas tij, angazhimi i përbashkët pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e Prishtinës.
















