“Parlamenti i Serbisë, ambient toksik”, Kamberi: Vuçiq do ta humbë pushtetin

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

05 janar 2026

Serbia ndodhet në një krizë të thellë politike ndërsa presidenti Aleksandër Vuçiq, po mbijeton në pushtet “me frymëmarrje artificiale”, thotë deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Paralajmëron se 2026-ta do të jetë vit i zgjedhjeve në Serbi, dhe se të njëjtat mund të shënojnë fundin e pushtetit të Vuçiqit. Ai kërkon mbështetje më konkrete nga Prishtina dhe Tirana zyrtare, si dhe shpalljen e Luginës së Preshevës si çështje me rëndësi kombëtare për Kosovën.

Kreu i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi në intervistën për KosovaPress flet edhe për diskriminimin institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe rrezikun që brenda pak vitesh, të tri komunat të mbesin pa përfaqësim shqiptar në polici dhe institucione të tjera.

Ai thotë se diskriminimi shtetëror i Serbisë ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë po vazhdon dhe se “vëmendja e qeverisë qendrore është e orientuar kryesisht në mbijetesën në pushtet”.

“Shumëkush ka pritur që me një vit protestash, pushteti i Aleksandër Vuçiqit do të bie. Por, thjesht ai po mbahet, po mbijeton. Po mbijeton me një frymëmarrje artificiale, me atë që ka fut Serbinë me një krizë ndër më të thellat politike prej vitit 2003 kur është vrarë kryeministri i atëhershëm. Është bërë një delegjitimim total i pushtetit të Vuçiqit, se këto që po ndodhin ditëve të fundit po dëshmojnë që politika e jashtme e Vuçiqit, e balancimit, e ekuilibrimit, e bazuar në katër shtylla, në Kinë, në Moskë, në Uashigton e Bruksel, po pëson degradim total sepse tashmë mund të thuhet shumë konkret pas aprovimit të Raportit të Progresit për Serbinë për vitin 2025, Bashkimi Evropian ka dhënë vërejtjet më seriozet deri më tani, në raport me ngecjen e Serbisë. Se ligji që aprovuan së fundmi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që ka nënshkruar presidenti Trump flet qartë për ngecjet në demokraci në Serbi. Dhe Serbia etiketohet si i vetmi vend në Ballkan me emër që ka ngecje të demokracisë”, deklaron Kamberi .

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi konsideron se viti 2026 do të jetë vit zgjedhor në Serbi dhe se Vuçiqi do ta humbë pushtetin.

Scroll to Top