Vjosa Osmani kritikon BE-në ne lidhje me dialogun

Osmani kritikon BE-në lidhur me dialogun: “Për Kosovën, nënshkrimi i presidentit të Amerikës është më i rëndësishëm se ai i Serbisë”

Në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani theksoi angazhimin e vendit për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e tij territorial përballë përpjekjeve destabilizuese të Serbisë dhe aleatëve të saj në Kremlin.

Ajo theksoi se “Kosova nuk ka pëllëmbë toke për të falur”, duke nënvizuar se mbrojtja e vendit është një betim i përjetshëm, pas ngjarjeve tragjike në Banjskë më 24 shtator 2023.

Presidentja Osmani përkujtoi se heroizmi i Afrim Bunjaku dhe shokëve të tij kishte dëshmuar forcën e popullit të Kosovës në mbrojtjen e atdheut, duke shtuar se “nuk ka llogaridhënie e as drejtësi nga ana e Serbisë”, duke iu referuar agresionit të vazhdueshëm nga ky shtet.

Presidentja Osmani e kritikoi ashpër Serbinë për vazhdimin e minimit të përpjekjeve për paqe dhe stabilitet në rajon, duke shërbyer agjendës së Rusisë. “Serbia vazhdon minimin e përpjekjeve të vendeve tjera të rajonit për paqe, siguri e stabilitet të qëndrueshëm,” theksoi ajo.

Në aspektin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Osmani theksoi se “Shqiptarët janë popull konstituiv në Maqedoninë e Veriut me kontribut determinues në demokratizimin dhe integrimin euro-atlantik të vendit”.

Ajo siguroi gjithashtu se Kosova dhe Shqipëria do të vazhdojnë koordinimin për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe për të avancuar në integrimin euro-atlantik.

Presidentja Osmani gjithashtu kritikoi mënyrën e udhëheqjes së dialogut me Serbinë nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se ky proces ka qenë “komplet i pabalansuar,” me një trajtim të padrejtë ndaj Kosovës.

Ajo përmendi faktin që në tavolinën e dialogut, “shteti që kreu agresion ndaj Kosovës nuk është nën masa,” ndërsa Kosova, që ka vuajtur nga agresioni, është nën masa, si dëshmi e kësaj padrejtësie.

Në lidhje me propozimet e saj për përmirësimin e dialogut, Osmani shpjegoi se ajo ka kërkuar që “drafti i asociacionit të fillohet të diskutohet me SHBA-të,” për të siguruar një qasje më të drejtë dhe për të ruajtur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ajo e mohoi kategorikisht se po kërkonte themelimin e asociacionit, duke theksuar se “më shumë i kam besuar vetvetes sonë dhe Amerikës, sesa disa burokratëve nga shtetet jonjohëse.”

Në fund, Presidentja Osmani e përmendi mundësinë që, nëse Serbia nuk e zbaton marrëveshjen, Kosova mund të shqyrtojë zbatimin e pjesës së saj të marrëveshjes “vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO e organizata ndërkombëtare.”

Ajo theksoi se për të, “më shumë sesa nënshkrimi i Presidentit të Serbisë ka rëndësi nënshkrimi i Presidentit të Amerikës”. /Telegrafi/

Scroll to Top