Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
23 tetor 2025
Misioni i OSBE/ODIHR ka bërë 25 rekomandime në përfundim të zgjedhjeve të 11 Majit që kanë të bëjnë me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, fushatën elektorale dhe parandalimin e presionit ndaj zgjedhësve.
Këto rekomandime duhet të lexohen në lidhje me rekomandimet e mëparshme të ODIHR-it që ende nuk janë adresuar. ODIHR shpreh gatishmërinë për të ndihmuar autoritetet e Shqipërisë në përmirësimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor dhe për të adresuar rekomandimet e përfshira në këtë dhe në raportet e mëparshme”, thuhet në raport.
REKOMANDIME PRIORITARE.
* Për të adresuar rekomandimet e papërmbushura të ODIHR-it, si dhe paqartësitë dhe mospërputhjet e ndryshme, korniza ligjore zgjedhore duhet të reformohet në mënyrë tërësore përmes një procesi konsultativ gjithëpërfshirës, shumë përpara zgjedhjeve të ardhshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira.
* Për të siguruar stabilitetin e administratës zgjedhore, duhet të konsiderohet depolitizimi i procedurës së emërimit të komisioneve zgjedhore të niveleve më të ulëta, si dhe kufizimi i zëvendësimeve arbitrare dhe në momentet e fundit të anëtarëve të komisioneve, për të garantuar trajnimin e duhur dhe në kohë për të gjithë anëtarët.
* Për të forcuar kapacitetin dhe profesionalizmin e Grupeve të Numërimit të Fletëve të Votimit, KQZ duhet të organizojë sesione specifike trajnimi për procedurat e numërimit dhe të zhvillojë një kurrikul trajnimi të standardizuar, duke përfshirë manuale dhe fletëinformime të lehta për t’u kuptuar mbi procesin e numërimit.
Përpjekjet për edukimin e votuesve mbi votimin elektronik duhet të intensifikohen, me fokus në rritjen e ndërgjegjësimit të votuesve për procedurat e votimit elektronik dhe sigurimin që të gjithë votuesit të jenë në gjendje të votojnë në mënyrë të pavarur.
* Për të eliminuar çdo paqartësi në legjislacion në lidhje me fushatën, përdorimi i burimeve administrative për qëllime elektorale duhet të ndalohet nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit.
* Për të siguruar kushte të barabarta gare, autoritetet duhet të marrin masa për të parandaluar keqpërdorimin e funksionit dhe të burimeve shtetërore. Sanksione proporcionale dhe ndëshkuese duhet të vendosen me shpejtësi ndaj shkeljeve të tilla.
* Në përputhje me praktikat e mira, ligji duhet të përcaktojë qartë cilat aktivitete paraelektorale përbëjnë shpenzime fushate, në mënyrë që ato të jenë subjekt i raportimit, mbikëqyrjes dhe sanksioneve përkatëse.

















