Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
19 tetor 2025
Aksioneri i minorancës në këtë koncesion, Valon Ademi ka akuzuar publikisht Behgjet Pacollin për mashtrim. Thelbi i konfliktit të dy ortakëve në ndërtimin e aeroportit ka qenë ndarja e aksioneve, ku Ademi zyrtarisht ka 2% të tyre, por pretendon 47%.
Mes palëve ekziston gjithashtu një kontratë noteriale, e firmosur menjëherë pas largimit të grupit turk YDA nga koncesioni i aeroportit. Ky grup kishte në pronësi 40 për qind të aksioneve të aeroportit të Vlorës, të cilat formalisht ia shiti kompanisë Mabco të Behgjet Pacollit për shumën simbolike prej 4200 eurosh. Po atë ditë, Mabco dhe 2A Group nënshkruan një marrëveshje të re për ndarjen e aksioneve, duke përcaktuar që Mabco të zotëronte 53 për qind dhe 2A Group 47 për qind të tyre. Megjithatë, këto kontrata nuk janë regjistruar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
Ndërkohë, kompania 2A Group e Ademit kërkon të njihet zyrtarisht si pronare e 47 për qind të aksioneve, duke u mbështetur në kontratën noteriale dhe dokumentacionin e plotë të investimeve të realizuara gjatë dy viteve të fundit. Nga ana tjetër, Mabco e Pacollit kundërshton këtë pretendim dhe, si aksionere kryesore e konsorciumit, ka marrë vendim të mos lejojë ndryshimin e strukturës së aksioneve.
Përplasja mes tyre ka ccuar edhe në shkarkimin e administratorit të parë të kompanisë së aeroportit të Vlorës, ndërsa i dyti ka dhënë dorëheqjen pak ditë më parë.
Pas akuzave mes aksionarëve, Valon Ademi ka bërë kallëzim ndaj Pacollit dhe gjykata ka vendosur pak ditë më parë masën e sigurimit të padisë ndaj Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.

















