Ministrja Kumbaro fshin postimin ku uronte Liburn Aliun për emërimin në krye të Portit të Durrësit

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

27 tetor 2025

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka fshirë një postim nga rrjetet sociale, ku kishte uruar ish-ministrin e Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliun, për emërimin e tij në krye të Portit të Durrësit – një lajm që në fakt nuk është konfirmuar nga asnjë burim zyrtar.

Në postimin që qëndroi vetëm për pak minuta në profilin e saj në Facebook, Kumbaro e cilësonte lajmin “të gëzueshëm” dhe e shoqëronte me një fotografi të përbashkët me Aliun.

“Shumë i bukur lajmi për emërimin e Liburn Aliut në krye të Portit të Durrësit! Përherë e kemi thënë se Durrësi është porta e përbashkët drejt Adriatikut, si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën, prandaj nuk mund të kishte zgjedhje më të mirë për ta mishëruar këtë vizion sesa Liburni, një atdhetar dhe funksionar i sprovuar publik. Si ish-ministre e Mjedisit kam pasur bashkëpunim të shkëlqyer me të gjatë kohës kur ai drejtonte sektorët e mjedisit dhe planifikimit hapësinor në Kosovë. 🇦🇱🇽🇰 Zgjedhje e goditur, Belinda Balluku! Urime e me krahë të lehta!”, shkruante Kumbaro në postim.

Menjëherë pas publikimit, postimi u fshi pa asnjë sqarim nga ministrja. Deri më tani, as Kumbaro, as Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk kanë komentuar mbi arsyet e fshirjes apo mbi vetë përmbajtjen e urimit.

Burime brenda qeverisë shqiptare nuk kanë konfirmuar emërimin e Liburn Aliut në asnjë detyrë zyrtare në Portin e Durrësit.

Scroll to Top